Pas Klopp edhe Mourinho kundër vendimit për Manchester City: Ky është turp!

Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, e ka kritikuar ashpër Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) e cila vendosi t’ia shfuqizojë Manchester Cityt dënimin e cili ia ndalonte atij pjesëmarrjen në garat evropiane për dy vjet pas dyshimeve për shkelje të rregullave për ndershmëri financiare.

UEFA e dënoi Man Cityn me dy vjet pezullim nga garat evropiane në shkurt të këtij viti, për shkelje të rënda të rregullave për ndershmëri financiare (FFP) dhe licencim të klubit.

Klubi i Premierligës i pati mohuar akuzat në mënyrë ta vazhdueshme dhe të ashpër dhe muajin e kaluar vendosi të ankohej ndaj dënimit në CAS.

Pas një seance dëgjimore që zgjati tri ditë në muajin qershor, CAS-i vendosi të hënën që t’ia heqë dënimin të kaltërve. Kjo nënkupton se City do të jetë i lirë të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, ndërsa, dënimi me gjobë prej 30 milionë euro i është ulur në 10 milionë euro.

Pak orë pasi Klopp e kundërshtoi vendimin e CAS, homologu i tij Mourinho ndau të njëjtin mendim pasi kishte mbetur i habitur sesi Cityt nuk i ishte konfirmuar dënimi.

Trajneri portugez ka nënvizuar se skuadra e Pep Guardiolës ishte fajtore dhe se e meritonte dënimin.

“Në këtë rast është vendim i turpshëm, sepse nëse City nuk ishte fajtor atëherë nuk do të ishte gjobitur me 10 milionë euro”, tha Mourinho.

“S’e di nëse City është fajtor apo jo, por sidoqoftë vendimi është i turpshëm”, shtoi ai.