Pas ”Becchettit”, do të paguajmë edhe 90 milionë euro të tjera për shkak të Ramës

Rasti i humbjes së gjyqit me biznesmenin italian Francesco Becchetti me një dëm ekonomik prej afro €109 milionë për buxhetin e shtetit, duket se është vetëm një prej përplasjeve të Shqipërisë me investitorët e huaj.

Unpublished zbulon se prej vitit 2011 Shqipëria ka humbur 10 vendime arbitrazhi ndërsa nga një proces i nisur në Londër pranë Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, nga buxheti i shtetit rrezikohen të “zhduken” €90 milionë të tjera.

Bëhet fjalë për prishjen e njëanshme të kontratës me “Dondi, Itali & Kubota, Japoni” për projektin e “përmirësimit të sistemit të kanalizimeve të Tiranës së Madhe”.

Kontrata është prishur nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve.

Kontrolli i Lartë i Shtetit vëren se kjo gjë është bërë në kundërshtim me marrëveshjen e financimit dhe me kushtet e kontratës së lidhur me kontraktorin dhe vlerëson se buxheti i shtetit rrezikon të paguajë një shumë të konsiderueshme që llogaritet mbi €90 milionë. Juristja dhe ish-zv/ministre e drejtësisë Brikena Kasmi, tha se në avokaturën e shtetit mungon transparenca.

Së bashku me të edhe ish-avokatja e përgjithshme e shtetit Ledina Mandija është e mendimit se ka ardhur koha që për këto fatura të kripura në dëm të taksapaguesve shqiptarë, të ketë përgjegjësi individuale penale krahas moralit politik.

Gazetari i rrjetit ballkanik BIRN, Gjergj Erebara zbulon se Shqipëria rrezikon të humbasë miliona dollarë edhe nga një koncesion i dhënë në vitet 90-të nga Adil Çarçani për shfrytëzimin e bregdetit të Durrësit.

Sipas ekspertit për çështjet e ekonomisë Dritan Shano këto raste kanë pasur dhe kanë një impakt tejet negativ në stepjen e investitorëve të huaj. Sipas tij Struktura e Posaçme Anti-korrupsion (SPAK) mund të hetojë personat përgjegjës për këtë dëm të madh ekonomik.

Shqipëria ka aderuar në konventat për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të arbitrazhit në vitet 2000 dhe në një eksperiencë prej dy dekadash, fatura është më se e kripur.