Paralajmërimi i ish-ministrit: “Jemi si Greqia dikur, po kapitullojmë, do dalim në ankand ndërkombëtar”

Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, përmes një postimi në rrjetin e tij social “Facebook” është shprehur se situata ekonomike në vend është drejt kolapsit financiar të garantuar. Sipas ish-ministrit borxhi publik është rritur në përmasa alarmante duke kapur shifrën e 10 miliardë euro, dhe vendi ynë në një të ardhme të afërt nuk do të mund të paguaj jo vetëm primcipalin po as interesat.

Panariti parashikon një skenar të ngjashëm me atë të shtetit grek, ku vendi kapitullon dhe del në ankand ndërkombëtar.

Postimi i plotë: Kolaps financiar dhe rrënim i garantuar! As aministimi i parasë së zezë nuk na shpëton! Vëndi rrezikon daljen në ankand ndërkombëtar për të gjetur një blerës borxhi.

Borxhi publik i Shqipërisë rreth 10 miliard euro ose mbi 80 % e prodhimit të përgjithshëm bruto. Këtu nuk futen borxhet e fshehura! Vëllai i vogël Kosova e ka borxhin 1.2 miliard pra dhjetë herë më pak. Maqedonia e Veriut 5 miliard, pra dy herë më pak. Por edhe 10 miliard nuk është shifra përfundimtare, sepse ajo nuk pasqyron borxhet e fshehura të pa kontabilizuara të tipit PPP.

Së shpejti nuk do të jemi në gjëndje të paguajmë as interesat dhe jo më principalin Dhe atëhere flluska do të plasë, sepse është bombë me sahat dhe kur të hapet shishja e shejtanit për bilancet reale, të mos habitemi kur ta shohim borxhin tonë sa i gjithë prodhimi bruto. Kjo i ndodhi Greqisë, kur u hapën kartat…

Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë që kreditorët do të na hidhen në grykë!

Vendi kapitullon dhe del në ankand ndërkombëtar. Kjo do të thotë kolaps financiar dhe kapitullim ekonomik. Kush do ta nënshkruajë kapitullimin? Kush do ta firmosë shitjen e vendit?