Opozita e Bashkuar: Të gatshëm të vijojmë dialogun në mirëbesim! Ndryshimet e njëanshme e minojnë marrëveshjen e 5 Qershorit

Opozita e Bashkuar ka përshëndetur votimin e marrëveshjes së 5 qershorit, por theksojnë se ndryshimet e njëanshme të kushtetutës që kërkon të bëjë Rama, e minojnë këtë gjë.

‘Opozita e Bashkuar është e gatshme të vijojë dialogun në mirëbesim dhe me seriozitet, për çdo çështje tjetër, pa cënuar rezultatet e Marrëveshjes së 5 Qershorit’, thuhet në deklaratën e Opozitës së Bashkuar.

Deklaratë e koalicionit të Opozitës së Bashkuar

Miratimi i sotëm i Marrëveshjes së 5 Qershorit pa ndryshime, dhe pa ndryshime kushtetuese të njëanshme që e minojnë atë, si dhe vijimi i dialogut politik mes palëve, është rruga e vetme për të ruajtur konsensusin e arritur, që është mbajtur shënim nga partnerët dhe shton shanset për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Ky është qëllimi i Opozitës së Bashkuar, që nga 14 Janari, ku jemi angazhuar në mirëbesim në Këshillin Politik.

Ky duhet të jetë qëllimi i përbashkët i të gjitha partive politike në Shqipëri, si e vetmja mënyrë për garantimin e një klime normale politike para zgjedhjeve, dhe për ecjen përpara të Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Opozita e Bashkuar shpreh mirënjohjen ndaj SHBA – BE dhe Vendet Anëtare – Britania e Madhe – OSBE për ndihmën dhe mbështetjen e çmuar për arritjen e një Reforme Zgjedhore konsensuale, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Opozita e Bashkuar është e gatshme të vijojë dialogun në mirëbesim dhe me seriozitet, për çdo çështje tjetër, pa cënuar rezultatet e Marrëveshjes së 5 Qershorit. Heqja dorë nga aktet e njëanshme që minojnë konsensusin e arritur pas 6 muajve përpjekje, dhe angazhimi i të gjitha partive politike për të arritur konsensus për çdo çështje që lidhet me zgjedhjet, i shërben Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane.