Ogerta, nuk vihet situate nën kontroll me gjoba!

Nga Bardh SPAHIA

Sot kur u sanksionua sipas paralajmërimit vendosja e gjobave për mosmbajtjen e maskës në ambiente të mbyllura, e aty ku nuk ruhen dot distancat sociale, ishin raportuar 4 viktima nga Covid-19, ndërsa numri i testeve ishte ulur edhe më shumë në raport më një ditë më parë.

Domethënë numri i viktimave fatkeqësisht e kaloi edhe zyrtarisht shifrën 100 (sot shkoi në 101) dhe qeveria rikthehet si në kohët e karantinës në rolin e gjobvënëses, si e vetmja punë që di apo dëshiron të bëjë!

Maska me detyrim mbetet një vendim i vonuar, në kushtet kur me gjoba, deri tani por edhe në të ardhmen, ndëshkohen vetëm qytetarë e binzese e aspak institucionet publike që kanë pothuaj të gjitha të infektuar, e para QSUT-ja!

Maska nuk është celësi i artë për të menaxhuar situatën e dalë jashtë kontrollit, por vetëm justifikimi për papërgjegjshmërinë e keqmenaxhimin. Ministrja e shëndetësisë duhet të japë informacion të qartë e jo të recitojë shifra rrethanore.

– Cili është plani, cila është strategjia për t’u përballur me këtë shpërthim virusi?

– Pse nuk rritet numri i testeve, meqenëse prej një jave recitohet e njëjta shifër 90 mijë gjendje?

– Pse po ulet numri i testimeve në tre ditët e fundit: ishte 585, pastaj u ul në 451 e sot në 361 teste….Ka ndonjë sukses diku ku nuk e shohim, që të ulet numri i testeve teksa rritet numri i të infektuarve e viktimave, e teksa vetë mjekë e qytetarë po denoncojnë në media se nuk u vihet veshi për tamponë edhe kur kanë simptoma?

– Sa është rritur racioni i tamponëve për rrethet, nisur nga shifrat qesharake të testeve, të denoncuara për Shkodrën, Durrësin e Korcën?

– A po sigurohen mjete të plota mbrojtëse për personelin shëndetësor, nisur nga kundërshtitë që mjekë të QSUT i kanë formalizuar zyrtarisht?

– Pse nuk vendosen në punë spitalet me të cilët u mburrët në video propagande?
– Sa është kapaciteti i shtretërve me respiratorë?

– A po studiohet fakti se viktimat e Covid në Shqipëri janë shpesh në moshë të re? Përse ky trend që nuk haset në vendet e tjera?

Ja cilat janë sfidat e vërteta të një qeverie të përgjegjshme në këtë situatë! Pjesa e maskave mund të menaxhohet fare mirë nga vartësit e tu zonja ministre e shëndetësisë! Ti nuk ke detyrë të bësh policin, por të japësh zgjidhje në kohë, e jo të vonuara, si personelit shëndetësor ashtu edhe qytetarëve!