Një kalendar për të Birin e Kristaqit

Nga Elona CASLLI

Kryeministri i vendit mes shumë deklaratave, ditën e sotme ndër të tjera ka thënë- Im atë ka qenë komunist dhe si shumë të tjerë, ka qenë në anën e duhur të historisë.

Ndoshta Kryeministrit të vendit më shumë se çdo gjë tjetër në jetë, i nevojitet një kalendar për t’i kujtuar se nuk jemi në kohën e diktaturës enveriane, ku emri i Kristaq Ramës mund të përdorej si pasaportë për të përligjur një mendim a një veprim.

Sigurisht, që nuk jemi as në demokraci. Jemi në paradhomën e diktaturës moderne, ku ende na lejojnë të shprehim mendimin kundër. Kjo dhe për pak kohë, pasi në rrjetet sociale ka filluar censura globale që pashmangshmërisht do të ndihet edhe tek ne.

Kuptohet se i Biri i Kristaqit e ka pasur jetën më të lehtë nën emrin e të atit. Në kohën e qoftëlargut jeta ishte shumë më e rehatshme, po të ishe i biri i Kristaqit. Partia gjithmonë i ka vlerësuar bijtë që e kanë parë të vërtetën me sytë e Partisë.

Megjithatë, i Biri i Kristaqit, t’i hedhë një sy kalendarit dhe të të ndalet tek viti 1988, para se të deklarojë se babai i tij, ka mbajtur anën e drejtë të historisë.

Duke hamendësuar se i biri i Kristaqit nuk e ka një kalendar, po ia rifreskojmë kujtesën me një fragment të shkëputur nga rrëfimi i atij viti nga Albert Vataj.

Ekzekutimi me varje për poetin në orën 2 të mëngjesit

Kristaq Rama, i ati i Edi Ramës ka firmosur dënimin me varje në litar të poetit Havzi Nela, në ditët kur diktatura komuniste po jepte shpirt. Në dokument duket qartë se, Kristaq Rama ka firmosur për dënimin me varje të poetit vetëm për faktin, se ai kishte shkruar poezi që nuk i pëlqenin regjimit. Ky ishte një vendim xhelatësh i firmosur nga Ramiz Alia dhe Kristaq Rama, për dënimin me varje të poetit të njohur më datë 10.8.1988.

Poeti Havzi Nela mori një dënim maksimal për fajin e vetëm, se në vargjet e tij kërkonte të drejtat e njeriut. Më 9 gusht 1988, familjarët e Havzi Nelës kërkonin faljen e jetës dhe anulimin e vendimit për ekzekutim me varje të të afërmit të tij, por Presidiumi i Kuvendit Popullor, pjesë e së cilit ishte edhe Kristaq Rama nuk e pranoi.

As tokë nuk i dhan në pushimin e pasosun, Havzi Nelës. Deri në njat cak kishte mujt me mbërri makabriteti i lëshuem në duar të zellshme gjakatarësh, mbi të cilët nderej i friguem ajo bishë e plagosun. E derdhën mish e kocka, poetin në vrimën e një shtylle, mes ferrave. Me gurë dhe mrryl e mbuluen atë grumbull të mbetun prej së gjalli. Pa varr e lanë, pa kuja, pa lot e degdisën në tjetër botë. Kaq mundi me gadit zelli i përbinshëm i një regjimi. Vetëm kaq, me diftu, i’a behu mendja djallëzore e dora e gjakut të prishun.

I biri i Kristaq Ramës dhe njëkohësisht Kryeministri i Shqipërisë, mund të pohojë gjithçka veç, kahut të drejtë të historisë.

Ata që mbajtën kahun e drejtë të historisë u burgosën, u dhunuan, u internuan dhe u pushkatuan, por kurrsesi nuk u vunë në shërbim të një përbindëshi.

Post Scriptum- Visar Zhiti në artikullin e tij “Çështja Camaj dhe Koliqi nën Vëzhgim” ndër të tjera shkkruan:

“” Shkrimtari nobelist Hermann Hesse thotë në një poezi të vetën:Më mirë të të vrasin komunistët se të jesh komunist. E thotë edhe për nazistët. Mund ta vazhdonim, më mirë të të vrasë e keqja se të jesh i keq.

rama 3

caslli

Havzi Nela

2 45