Nga janari 2021 emrat e pronarëve të kompanive offshore? Gjoba qesharake nëse nuk e deklaron

Nga janari 2021 të gjithë pronarët e subjekteve që nuk regjistrojnë të dhënat në regjistrin e pronarëve përfitues do të gjobiten për shkelje me gjobë nga 150 mijë lekë deri në 500 mijë lekë. Projektligji i miratuar nga qeveria i ka kaluar për miratim Parlamentit, ku përcakton krijimin e regjistrit të dhënave, që do të administrohet nga Qendra Kombëtare e Biznesit dhe do të shërbejë si arkiv elektronik zyrtar dhe do të sigurojë transparencën në fushën e pronarëve përfitues.

Regjistri do të zbardhë edhe emrat e pronarëve përfitues të kompanive të regjistruara në parajsat fiskale (offshore) me aktivitet në Shqipëri, të cilët zotërojnë të paktën 25% të aksioneve. Shqipëria deri me tani nuk ka një mekanizëm që të identifikojë se cilët janë pronarët e vërtetë përfitues të subjekteve të regjistruara në të. Për këtë arsye, si edhe duke pasur parasysh që ngritja e një regjistri i cili do të bëjë të mundur regjistrimin e pronarëve real përfitues, ka qenë një prej rekomandimeve të MONEYWAL për Shqipërinë.

Në këtë projektligj është parashikuar se subjektet raportuese ekzistuese duhet, jo më vonë se 30 ditë kalendarike nga hyrja në fuqi e draftit, të identifikojnë pronarët përfitues, si dhe të krijojnë dhe të mbajnë dokumentet përkatëse për pronarët përfitues. Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe AKSHI do të krijojnë Regjistrin e Pronarëve Përfitues jo më vonë se data 3 janar 2021. Subjektet raportuese ekzistuese duhet të regjistrojnë të dhënat e kërkuara nga ky projektligj për pronarët e tyre përfitues jo më vonë se 60 ditë kalendarike nga krijimi i Regjistrit të Pronarëve Përfitues.

Regjistri i Pronarëve Përfitues përmban të dhënat

1.Të dhënat e përgjithshme mbi subjektin raportues: a)Numri unik i identifikimit të subjektit(NUIS); b)Emri i subjektit raportues.

2.Të dhënat e detyrueshme për pronarët përfitues të subjektit raportues: Të dhënat e identifikimit: a)Për shtetasit shqiptarë:-Emri dhe mbiemri;-Numri i identifikimit personal;-Datëlindja;-Shtetësia;-Adresa e rezidencës së përhershme. b)Për shtetasit e huaj:-Emri dhe mbiemri;-Numri i identifikimit personal;-Datëlindja;-Numri i pasaportës dhe shteti lëshues;-Data e lëshimit dhe data e skadimit të pasaportës;-Shtetësia;-Adresa e rezidencës së përhershme. c) Për refugjatët/personat pa shtetësi:-Emri dhe mbiemri;-Numri i dokumentit të udhëtimit;-Datëlindja;-Shteti që ka lëshuar dokumentin e udhëtimit;-Data e lëshimit dhe data e skadimit e dokumentit të udhëtimit. Data e përcaktimit të individit si pronar përfitues.

Lloji dhe përqindja e pronësisë:- Direkte;-Indirekte. 6.Të dhënat e përcaktuara në pikën 5, të këtij neni, klasifikohen më tej në të dhëna parësore dhe të dhëna dytësore, sipas parashikimeve të ligjit për bazat e të dhënave shtetërore:6.1.Të dhëna parësore:-Të dhënat e identifikimit për shtetasit e huaj, jorezidentë;-Të dhënat e identifikimit për refugjatët/personat pa shtetësi;-Data e përcaktimit të individit si pronar përfitues;-Lloji dhe përqindja e pronësisë.6.2.Të dhëna dytësore:-Numri i identifikimit të subjektit (NUIS)dhe emri i subjektit raportues;-Të dhënat e identifikimit për shtetasit shqiptarë;-Të dhënat e identifikimit për shtetasit e huaj, rezidentë.

Gjobat

Në kreun V, të këtij projektligji, parashikohen kundërvajtjet administrative. Më konkretisht, në rast se nuk përbëjnë vepër penale, shkeljet e mëposhtme përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë si vijon:

a.Mosregjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues të tij brenda afatit të përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 3, të nenit 5, të këtij projektligji, dënohet me gjobë në vlerën 500 000 lekë.

b.Mosregjistrimi i çdo ndryshimi në të dhënat e regjistruara dhe në dokumentet shoqëruese, që depozitohen në regjistër, brenda afatit të përcaktuar në shkronjën “b”, të nenit 5, të këtij projektligji, dënohet me gjobë në vlerën 250 000 lekë.

c) Mospërmbushja e detyrimit të subjekteve raportuese ekzistuese për regjistrimin e të dhënave të kërkuara nga ky projektligj, brenda afatit të përcaktuar në pikën 3, të nenit 15, të këtij projektligji, dënohet me gjobë në vlerën 250 000 lekë.
Për shkeljet e parashikuara më sipër, në projektligj është përcaktuar se dënohet me gjobë prej 150 000 lekësh edhe përfaqësuesi ligjor i subjektit të regjistruar, person juridik. Gjithashtu, projektligji parashikon se për subjektet që kryejnë shkeljet e parashikuara më sipër, për më tepër se njëherë, gjobat do të dyfishohen. Për më tepër, në projektligj parashikohet se gjoba vendoset nga titullari i QKB-së, vendimi i të cilit ankimohet drejtpërdrejt në gjykatën administrative kompetente.

Gjithashtu, projektligji parashikon se QKB-ja dhe autoriteti përgjegjës për mbajtjen e Regjistrit të Organizatave Jofitimprurëse për subjektet raportuese që kryejnë shkeljet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, nuk do të ofrojnë shërbimet e tyre në Regjistrin Tregtar dhe në Regjistrin e Organizatave Jofitimprurëse, deri në pagimin e gjobës, sipas pikave2 dhe 3, të nenit 13,dhe regjistrimin e të dhënës përkatëse për pronarin përfitues.

Në kreun VI, të këtij projektligji, në dispozitat tranzitore dhe të fundit, është parashikuar procedura e regjistrimit të të dhënave të përgjithshme të subjekteve raportuese ekzistuese. Më konkretisht, është parashikuar se të dhënat e përgjithshme të subjektit raportues, të cilat janë të regjistruara në Regjistrin Tregtar, transferohen elektronikisht në Regjistrin e Pronarëve Përfitues. Gjithashtu, në këtë projektligj parashikohet se institucioni përgjegjës për mbajtjen e Regjistrit të Organizatave Jofitimprurëse, brenda 2 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, i jep elektronikisht QKB-së si institucioni përgjegjës për administrimin e Regjistrit të Pronarit Përfitues, të dhënat për organizatat jofitimprurëse të regjistruara në Regjistrin e Organizatave Jofitimprurëse, për aq sa kërkohet në nenin 4, të këtij ligji.

Në përfundim, në këtë projektligj është parashikuar se subjektet raportuese ekzistuese duhet, jo më vonë se 30 ditë kalendarike nga hyrja në fuqi e këtij projektligji, të identifikojnë pronarët përfitues, si dhe të krijojnë dhe mbajnë dokumentet përkatëse për pronarët përfitues. Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe AKSHI do të krijojnë Regjistrin e Pronarëve Përfitues jo më vonë se data 3.1.2021. Subjektet raportuese ekzistuese duhet të regjistrojnë të dhënat e kërkuara nga ky projektligj për pronarët e tyre përfitues jo më vonë se 60 ditë kalendarike nga krijimi i Regjistrit të Pronareve Përfitues.

Pronar përfitues, pronësi direkte dhe indirekte

Projektligji sqaron tre terma sa i takon pronësisë dhe që do të jetë detyrim deklarimi. Së pari termi “pronar përfitues” që nënkupton individin, i cili i fundit ka në pronësi ose kontrollon subjektin, si më poshtë:

1.1. Në rastin e një personi juridik,

1.1.1. Individi i cili ka në pronësi, ose kontrollon i fundit, një person juridik, në mënyrë direkte ose indirekte, ose përfiton nga transaksionet e kryera nga personi juridik në emër të tij. Këtu përfshihen edhe ata individë, të cilët ushtrojnë kontrollin e fundit efektiv ndaj një personi juridik. Kontroll i fundit efektiv është marrëdhënia, në të cilën një individ:

a) zotëron në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të paktën 25 për qind të aksioneve ose të votave në një personi juridik;
b) i vetëm zotëron të paktën 25 për qind të votave në një personi juridik në bazë të një marrëveshjeje me ortakët ose me aksionarët e tjerë;
c) përcakton de facto vendimet e marra nga personi juridik;
d) kontrollon në çdo lloj mënyre zgjedhjen, emërimin dhe largimin e shumicës së administratorëve të personit juridik.
1.1.2. Themeluesi ose përfaqësuesi ligjor ose individi që ushtron kontrollin e fundit efektiv në administrimin dhe kontrollin e organizatave jofitimprurëse, ku përfshihen fondacionet, shoqatat, qendrat, si dhe degët e organizatave jofitimprurëse. Kontroll i fundit efektiv është marrëdhënia, në të cilën një person:

a) përcakton de facto vendimet e marra nga organizata jofitimprurëse;
b) kontrollon në çdo lloj mënyre zgjedhjen, emërimin dhe largimin e shumicës së organeve vendimmarrëse dhe/ose organeve ekzekutive të organizatës jofitimprurëse.
1.2. Në rastin e një trusti ose marrëveshjeve të tjera ligjore:

1.2.1. Krijuesi i trust-it (settlor), kujdestari/i mirëbesuari (trustee), mbrojtësi (protector) nëse ka, dhe përfituesi (beneficiary) ose klasa e përfituesve të trust-it, ose një individ që ushtron funksione të ngjashme në marrëveshjet e tjera ligjore, dhe individi i cili ka një pozicion dominues në kontrollin e trust-it, ose të marrëveshjeve të tjera ligjore.

Termi “Pronësi direkte” nënkupton pronësinë e mbajtur nga një individ prej 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit ose të interesave të pronësisë në një subjekt raportues.

Kurse “Pronësi indirekte” nënkupton pronësinë e mbajtur ose kontrollin e ushtruar nga i njëjti individ në një ose më shumë persona juridikë të cilët veçmas ose së bashku zotërojnë 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit ose të interesave të pronësisë në një subjekt raportues.