Meta: Basha po tregon lidership, nuk besoj se Rama është… 

Kreu i shtetit, Ilir Meta komentoi propozimin e opozitës së bashkuar për hapjen 100 përqind të listave zgjedhore.

Fillimisht ai tha se nuk beson se kryeministri Edi Rama e ka hedhur poshtë këtë propozim.

“Së pari nuk besoj se është refuzuar një propozim i tillë si ky që ka bërë zoti Basha. Nuk besoj të jetë i vërtetë.

Kështu që përshëndes këtë akt të përgjegjshëm dhe historik të kryetarit të PD dhe të opozitës së bashkuar për të dhënë dakordësinë e tij për hapjen 100 përqind të listave, në mënyrë që deputetët e ardhshëm të jenë pronë e qytetarëve të Shqipërisë dhe jo zara të kryetarëve të partisë që ngrenë kartonat duke dhunuar Kushtetutën dhe interesin e qytetarëve”, tha Meta.

Ai shtoi se i nxit ekspertët të vazhdojnë punën përtej 30 korrikut për këtë temë.

“Në këtë mënyrë, zoti Basha tregon jo vetëm lidership dhe përgjegjeshmëri dhe respekt për qytetarët, por edhe shlyen një gabim të PD, që votoi atëherë për mbylljen e listave për çdo arsye.

I jepet mundësia qytetarëve të kenë parlamentin e tyre dhe kjo është një gjë shumë pozitive”, tha Meta.