Mëkati i këtij shkrimi qoftë i imi!

Hamit TAKA

Zoti e populli e dinë, por, në se jam duke bërë sevap me këtë shkrim, i gjithi qoftë i çdo prijësi në Shqipëri, i juaji Shkëlqesi Kryeministër, i juaji Fortlumturi President, i juaji Madhëri Kryetar i Kuvendit, i juaji Hirësi të Klerit, ndërsa mëkati vetëm imi…

Të nderuar zotërinj! Së pari, me emrin e Zotit dhe më pas me lejen e liri-demokracisë, mësova se mëkat më të madh se të vjedhësh nuk ka, madje mëkat tjetër veç vjedhjes nuk ka…

Përshëmbëll: mësova se heshtja është mëkat, sepse vjedh zërin… Të mos shkruash prej frikës është mëkat, sepse vjedh guximin… Të mos votosh atë që beson është mëkat se vjedh besimin… Të vjedhësh votën është mëkat se vjedh Themelin e Demokracisë… Të korrësh pa pushim, gjithashtu është mëkat, sepse vjedh të mbjellat…

Mësova se të rrish këmbëkryq, ndërsa dhunohen e përdhunohen përditë fëmijë e gra është mëkat, sepse vjedh shpresën… Të fshehësh është mëkat, sepse vjedh të dukshmen; të shmangesh sot, për qindra fëmijë, të sëmurë e të moshuar të vuajtur për të grënë është mëkat, sepse vjedh të pashmangshmen. Arsimi i dobët, aq më keq analfabetizmi, është mëkat, sepse vjedh dijen. Moskokëçarja është mëkat, sepse vjedh këmbënguljen.

Të bësh peshqesh Atdheun e të gjithëve është mëkat, sepse vjedh përkatësinë. Të qëndrosh krah për krah me përdhunuesin është mëkat, sepse vjedh nderin. Të duartrokasësh të keqen është mëkat, sepse vjedh të mirën… Edhe të përzesh Shqiptarët prej dheut të tyre është mëkat, sepse vjedh Atdheun…

Mësova shumë ndërkohë që mësoja…
Mësova se poshtërsia është mëkat, sepse vjedh lartësinë. Të urresh është mëkat, sepse vjedh dashurinë. Të gënjesh është mëkat, sepse vjedh të vërtetën. Të shtrembërosh është mëkat, sepse vjedh të drejtën… Të vjedhësh dhuratën është mëkat, se vjedh bujarinë.

Të nderuar Zotërinj!
Mësova se mëkat më të madh se të vjedhësh nuk ka, madje mëkat tjetër veç vjedhjes nuk ka… Ndërsa mësoja, gjithashtu edhe mendoja, se si ikën vjedhurazi këto 30 vite liri, po aq vite sa totalitarizmi shqiptar e izoloi Shqipërinë nga Lindja e Perëndimi dhe ndaloi ushtrimin e besimit ndaj Zotit. Mëkati qoftë veçse i imi, por i bindur jua them të hiqni dorë tashmë me kacavjerrjen në periudhën e të paudhëve… Kthehuni te e sotmja! Kthehuni te e sotmja dhe lavdëroni Zotin e Popullin që ju ngarkoi këtë amanet pikërisht për këtë kohë, në këtë vend dhe me këtë popull…

… Sepse edhe Shqipëria po përjeton kohëra të vështira ashtu si kohërat e mbërritjes së profetëve.… Sepse Shqipëria sot është i vetmi vend i shenjtë në botë që paqësisht ofron me dhjetëra rrugë të drejta ndaj dashurisë për Zotin…

Të nderuar Klerikë,

Nuk përtova dhe nuk rreshta së mësuari për asnjë çast edhe për udhën dhe gjykimin e Profetëve. Të kryqëzosh shpirtrat e përvuajtur është mëkat, sepse vjedh Jezusin… Ti dorëzohesh këtij realiteti është mëkat, sepse vjedh Muhametin…Të dehesh me pushtetin dhe të kujtosh se feja është aq sa diametri i kapuçit mbi kokë është mëkat, sepse vjedh qiellin…

Të marrësh anën e të fortit është mëkat se poshtëron të dobëtin…

Them se Mëshirploti do t’jua falë mëkatet e të kaluarës, nëse filloni të reagoni ndaj çdo vjedhjeje, ndaj çdo dhunimi, ndaj çdo privimi lirie…

Ma besoni, Zoti gjithësecilit prej jush i dha një amanet të shenjtë, si asnjë Kleriku tjetër në botë. Për këtë, lëvdoni atë më shumë. Ju dha amanet situata të ngjashme me ato që u dha profetëve në kohërat e mbërritjes së tyre. Thellohuni më shumë…
Nga fundi, mësova se dita e gjykimit të madh nuk ngjante aspak me Gjykatat e liri-demokracisë… Nuk kish aty ik sot e hajde nesër. Nuk kishte as Veting e as SPAK… Atë ditë, edhe shurdhi do dëgjonte, edhe i verbëri do shikonte, edhe sakati do vraponte. Vetëm një seancë do zgjaste e tëra. As Apel, as Gjykatë e lartë, as Kasacion, as Venecie, as Strazburg nuk kish atje. Ish dita e të vërtetës së pamohueshme… Siç duhej të ishte tek ne 22 Marsi 1992…