Mashtrimi/ Mjekët dhe infermierët nuk marrin shpërblimin që u premtoi Rama për Covid-19

Ata janë pjesë e vijës së parë. Mjeku, infermieri dhe shoferi i një ambulance të 127-ës kanë kontaktin e parë me një të infektuar me koronavirus. Janë ata që hyjnë në banesën që Qendra Kombëtare e Urgjencës u jep adresën. Po flasim për 120 veta personel  (mjekë, infermiere, shoferë) e ndarë në tre pika; Trauma, QSUT,  Shefqet Ndroqi.

Të veshur me uniformën e posaçme, që nuk paralajmëron një vizitë të thjeshtë, ata bëjnë transportimin e pacientëve me simptoma në Spitalin Infektiv ku vijon trajtimi i të sëmurëve. Që nga nisja e pandemisë grupet e 127-ës që funksionojnë të ndarë në shërbim 12 orësh kanë çuar me qindra të sëmurë në Covid-1 dhe Covid-2. Ata nuk mbulojnë vetëm rastet me koronavirus. Paralelisht edhe urgjencat e tjera.

Me nisjen e pandemisë, kryeministri Edi Rama u premtoi bluzave të bardha (atyre në vijën e parë) shpërblimin 1000 euro në muaj deri në fund të betejës me këtë armik të panjohur. Burime për gazetën “Si” tregojnë se në Spitalin Infektiv, mjekë, infermierë, sanitarë dhe shoferë e së fundmi edhe tek Trauma e kanë marrë të plotë shpërblimin dhe pse me disa vonesa.

Janë në vijën e parë dhe në kohën e plotë me pacientët brenda mureve të spitalit. Por edhe ekipi i Urgjencës Paraspitalore nuk është më pak i riskuar. Ndaj dhe që në fillim të pandemisë ata u përfshinë tek kategorite që përfitonin shpërblim. Muajin maj ata nuk e morën shpërblimin e plotë. Mjekë dhe infermierë morën as gjysmën e këtij shpërblimi, 48 mijë lekë të reja. Nuk e kanë marrë ende për qershorin, ndërsa bisedat për të kërkuar shpërblimin kanë kohë që po gurgulojnë.

Fillimisht ata i janë drejtuar me një letër Kryeministrit Edi Rama dhe më pas i kanë kërkuar takim Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Kjo e fundit i ka përcjellë në takim më zv-ministren e Shëndetësisë, Mira Rakacolli. Një takim jo i frytshëm, pa përgjigje po ose jo.

Sepse të kalosh në diskutime të tilla se sa Covid në ditë keni, në një kohë kur rastet janë shtuar ndjeshëm dhe 99% e vizitave ky personel tanimë i ka vetëm për rastet e dyshuara me Covid-19, është minimumi mungesë korrektese.

Në fund të muajit Korrik, personeli i Urgjencës Paraspitalore është pa përgjigje për gjysmën e shpërblimit të marrë në Maj, dhe asnjë lekë shtesë për muajin e kaluar Qershor. E vetmja gjë që dihet është se ky personel prej 120 vetash endet dyerve të shtetit duke kërkuar përgjigje për zgjidhje, e paralelisht 12 orë në punë çdo ditë në një situatë më të vështirë nga nisja e pandemisë.

Tre javët e fundit rastet e reja dhe ata pacientë që përfundojnë në Infektiv janë rritur ndjeshëm. Kjo është një situatë që do të vijojë gjatë si për ta edhe për ne. Ndaj dhe jepuni një përgjigje. Minimumi që mund të bëni…