Mafia e pronave/ Jep dorëheqjen drejtori i 7-të i Kadastrës në Vlorë brenda 10 muajve

Nuk ka vonuar më shumë se 1 muaj e gjysmë në detyrë, për të dhënë dorëheqjen nga drejtoria e Kadastrës në Vlorë. Është fjala për Jurgen Pilkapin, i cili pas vetëm 1 muaji e pak ditë nga emërimi si drejtori i AKSH Vlorë, ka dhënë dorëheqjen, ndërsa ashtu si të gjithë paraardhësit e tij që nga shtatori e deri më tani, arsyet e dorëheqjes janë ”personale”.

Por, nuk është e vështirë të kuptohet që regjistrimi i pronave në bregdet dhe në mënyrë të veçantë në pjesë të lakmueshme të këtij bregdeti siç është Jala, dyshohet të jetë thembra e Akilit e kësaj problematike në Vlorë.

Ai është drejtori i 7-të në 10 muaj që dorëhiqet nga Kadastra e Vlorës, për të cilën duket se nuk do të gjendet lehtë një drejtues, që të mos i trembet syri.

Kujtojmë se disa prej drejtuesve të dorëhequr të AKSH Vlorë janë shoqëruar edhe me punonjës të Gardës pikërisht për shkak të kërcënimeve që kanë marrë. Nga ana tjetër, edhe policia dhe Prokuroria e Vlorës kanë nisur disa herë hetime për drejtues dhe zyrtarë të Kadastrës së Vlorës, por deri më tani asgjë konkrete.

Dhe përballë kësaj situate tashmë të njohur, duket se zgjidhja është rotacioni i drejtuesve derisa të mendohet një ristrukturim i plotë i kësaj drejtorie, që ishte edhe premtimi më i fundit i drejtorit të përgjithshëm të Kadastrës, Artan Lame.