Lajme të mira nga Oksfordi për vaksinën kundër Covid-19

Pandemia globale e koronavirusit po përshpejtohet. Kështu bëri të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila theksoi se gjatë qershorit janë shënuar më shumë se gjysma e rasteve që nga nisja e pandemisë.

Javën e shkuar janë regjistruar nga 160 mijë raste mesatarisht çdo ditë. Në mbarë botë janë 511 mijë vdekje dhe mbi 10.5 milionë raste të konfirmuara.

Nga ana tjetër, një shkencëtare kryesore që po udhëheq punën që bëhet për gjetjen e vaksinës, tha se ka lajme të mira.

Sarah Gilbert, profesore e vaksinologjisë në Universitetin e Oksfordit tha se në testime shihet se njerëzit po fitojnë imunitet.

Për momentin, 8 mijë vullnetare kanë hyrë në fazën e tretë të testimeve. Por Gilbert nuk tha se kur mund të jetë gati vaksina.

Qeveria britanike shpreson se do ketë një lajm të madh për vaksinën në fillim të vitit tjetër, kurse profesorët e Oksfordit mendojnë se do ketë progres më herët.

Në vjeshtë dhe dimër ekziston frika se do ketë një valë tjetër të koronavirusit.