Kryetarja e Komisionit të Helsinkit, Biserko: E vërteta si Daçiç, Vuçiç dhe Rama kërkuan të ndanin Kosovën

Kryetarja e Komisionit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko flet për SYRI TV për projektin e ndarjes së Kosovës, për aktorët që e nxitën këtë projekt dhe si u ndal ai. Ajo komenton situatën politike mes Kosovës dhe Serbisë dhe pritshmëritë për të ardhmen

BISEDOI: BLEDIAN KOKA

Zonja Biserko, faleminderit që e pranuat ftesën tonë për të zhvilluar këtë intervistë.

BISERKO- Faleminderit që më ftuat.

Ishte kënaqësi. Kemi ndjekur deklaratën e fundit të ish- këshilltarit të presidentit Trump, John Bolton, i cili tha se në fakt ishte ideja e udhëheqësve të Serbisë dhe të Kosovës për një marrëveshje të tillë. Por para se të kalojnë tek analiza e deklaratës së Bolton, a mund të na thuash se për çfarë po flitet këtu? Për një korrigjim kufijsh… Për shkëmbim territoresh… apo po flasim për një ndarje të Kosovës?

BISERKO- Të them të drejtën nuk është shumë e qartë sepse ka pasur terminologji të ndryshme që janë përdorur përgjatë këtyre viteve. Megjithatë nuk është qartësuar ende se çfarë kanë dashur të thonë. Nuk ka pasur asnjëherë harta, përveç atyre që kanë qarkulluar në platformat sociale, por në mënyrë zyrtare nuk ka pasur kurrë dokumente që t’i jenë vënë në dispozicion publikut në Kosovë.

Ka pasur një periudhë kohe ku palët janë shprehur se duan një farë lloji ndryshimi të kufijve, por sërish nuk e kanë përcaktuar qartë. Këtu ka një vakum le të themi. Por zoti Bolton e tha qartazi së të dy udhëheqësit nga Kosova dhe Serbia kishin kërkuar ndryshim të kufijve. Kjo është një çështje që është shfaqur që në 2016-ën, gjatë procesit të dialogut dhe fatkeqësisht znj. Mogherini i dha hapësirë të dy udhëheqësve të ndryshonin formën e dialogut, pasi ka pasur një marrëveshje të Brukselit, një pas-marrëveshje që rikrijontë një kornizë për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Disa prej tyre janë plotësuar, disa pjesërisht dhe disa të tjera mbeten ende në pritje.

Fatkeqësisht, pasi të dyja palët ranë dakord për shkëmbim territoresh, i gjithë ky proces, i gjithë dialogu u shpërbë. Kështu, që nga viti 2016 ka bisedime të fshehta.

Bisedime të fshehta mes kujt?

BISERKO- Më falni?

Ju thatë se nga 2016-ta, ka pasur bisedime të fshehta. Mes kujt janë zhvilluar këto bisedime?

BISERKO- Mes Daçiç, Vuçiç. Rama ka qenë gjithashtu pjesë e tyre. Ka pasur një lobim ndërkombëtar, i cili natyrisht është zhvilluar nga të dyja palët, East West Institute në Nju Jork, ambasadori i atëhershëm i Serbisë dhe më pas djali i George Soros, Panko Prenkiç, dhe disa të tjerë mund të thosha…. Mendoj se ndarja është një opsion që shumë njerëz në Beograd mbështesin. Edhe nga Bullgaria. Mendoj se të dyja palët, si Kosova ashtu edhe Serbia, nënvlerësuan rolin e Gjermanisë që është kritik. Gjermania e ka kundërshtuar shpërbërjen që nga fillimi dhe mendoj se tashmë të dyja palët, si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të nisin rrugën evropiane dhe të nisin bisedime serioze mbi integrimin, plotësimin e marrëveshjes së Brukselit, e më pas integrimin e të dy vendeve në BE.

Deri më tani, në veçanti Serbia, luajti në mënyrë manipulative me aktorët e tjerë si Rusia, Kina, SHBA e kështu me radhë, ndërsa Kosova varej shumë tek roli i Amerikës. Në të njëjtën kohë, nën administratën e re, Amerika ka ndryshuar fokusin, prioritetet e saj, dhe në këtë destabilizim anoi më tepër në krahun e Beogradit.

Zonja Biserko. Le të mbetemi pak tek Shtetet e Bashkuara. Zoti Bolton tha në deklaratën e tij se ishte udhëheqësi i Serbisë dhe ai i Kosovës që trokiti në portën pas së cilës qëndronte një marrëveshje e mundshme për ndryshim të kufijve. Pyetja është… Kush ishte personi i parë që ndërmori këtë iniciativë, Thaçi apo Vuçiç?

BISERKO- Besoj se ishte Vuçiç pasi ky ka qenë opsioni i vetëm për Beogradin prej shumë vitesh. Nëse jo i Vuçiçit drejtpërdrejtë, ai i Serbisë. Dhe nëse e mban mend, Dobrica Qosiç, ishte i pari që ofroi në Tiranë ndarjen e Kosovës. Gjithmonë favorizonin dialogun me Tiranën jo me Prishtinën në mënyrë që të justifikonin kërkesën e tyre për bashkim të tokës serbe. Ndaj do të thosha që kjo ishte një lëvizje shumë e rrezikshme për të gjithë rajonin, pasi në këtë rajon kemi tre lëvizje shumë të forta: Kroatët, serbët dhe shqiptarët.

A është shkëmbimi i kufijve hapja e kutisë së Pandorës në Ballkan?

BISERKO- Natyrisht, sepse me këtë ndarje, ka një tjetër që pret në Bosnjë, Maqedoni dhe Mal të Zi. I gjithë rajoni do të shpërthente e kjo nuk do të përfshinte vetëm rajonin. Ka edhe shumë vende të tjera në Evropën Lindore, vende baltike që do të përdornin të njëjtën logjikë si për shembull në Rusi, ku disa vende baltike kanë një minoritet rus. Në Hungari, Sllovaki e kështu me radhë. Kjo do të rezultonte shumë e rrezikshme për Evropën. Siç e dini, vendet etnike janë vetëshkatërruese. Kur mbaron me armiqtë e jashtëm, nis e merresh me ata të brendshëm. Ndaj mendoj se problemi i Kosovës apo ai i Bosnjës nuk është vetëm problem i rajonit, është problem evropian. Mbi cilat koncepte, cilat vlera, qëndrojnë vendimet e BE-së të cilat shpresojnë për anëtarësimin e të gjithë rajonit e më pas të ndjekin vlerat e tyre. Kjo është ajo për çka është folur gjithashtu në Samitin e Zagrebit, politika e zgjerimit dhe për herë të parë u fol për vlerat evropiane. Kjo sipas meje është shumë e rëndësishme, do të monitorojnë se si implementohen, si përdoren dhe sipas këtij vlerësimi vjen edhe numri i vendeve të rajonit të cilat do të hyjnë në BE. Nuk është vetëm çështje pluralizmi, është gjithashtu për të drejtat e njeriut, dhe toleranca të tjera që ndahen nga vendet anëtarë të Bashkimit Evropian.

Zonja Biserko, cili është pozicioni i kryeministrit tonë Edi Rama në këtë dialog, apo le të themi, bisedime të fshehta mes Kosovës dhe Serbisë, si u përfshi Rama këtu. Kam këtu edhe intervistën që ti ke dhënë për revistën Vreme në 2018-ën…

BISERKO- Besoj se ka pasur bisedime mes Ramës dhe Vuçiç. Rama ka pasur lidhje të ngushta me Soros, e më pas Soros u përfshi në këtë çështje. Pra kë qenë një qarkullim i të gjithë këtyre aktorëve mes Prishtinës dhe Beogradit. Pra po, ai ka pasur rolin e tij dhe e kam dëgjuar gjithashtu edhe nga politikanë shqiptarë, që ishin pjesëmarrës në një panel ku isha edhe unë prezent. Shumë të tjerë e kanë konfirmuar diçka të tillë gjithashtu. Por ai është tërhequr nga kjo iniciativë tashmë, të gjithë janë distancuar nga kjo ide, sepse ajo dështoi. Megjithatë në një pikë ka qenë shumë reale, por për fat të mirë BE, sidomos Gjermania, e ndaloi këtë marrëveshje dhe vazhdimësinë e negociatave në atë drejtim.

Por çfarë përfiton Rama duke u përfshirë në një dialog të tillë mes Kosovës dhe Serbisë? Të mbrojë një projekt që në fakt e dëmton Kosovën… Jo vetëm Kosovën, por të gjithë rajonin ashtu sikurse thatë edhe vetë ju pak më parë…

BISERKO- Mbase këtë pyetje duhet t’ia bësh vetë atij. Mbase dëshira e tij ishte të bëhej udhëheqësi shqiptar i të gjithë rajonit. Nuk e di, edhe vetë seriozisht isha shumë e surprizuar.

Edhe ne jemi të surprizuar, ndaj edhe ju pyes.

BISERKO- Ata njerëz kërkojnë për partnerë në Tiranë, dhe nuk mund ta gjenin. Ishte hera e parë që dikush i bashkohej një koncepti të tillë për të cilin unë u zhgënjeva shumë pasi ai të jepte përshtypjen e një udhëheqësi modern, i cili kupton konceptin, vlerat e Bashkimit Evropian. Shpresoj që ky të jetë edhe fundi i një përpjekje për të ndarë Kosovën.

Nëse në fund do të ketë një marrëveshje të tillë, me të cilën ne tashmë po shprehim edhe shqetësimet tona, kush do të përfitonte nga kjo?

BISERKO- Besoj se askush. nëse ai projekt do të ndodhte, çfarë do të ndodhte më pas më bashkimin e Serbisë me Bosnjën, me çështjen e Malit të Zi, të cilët po përpiqen të shpallin dhe të mbrojnë pavarësinë e tyre me argumentin se nuk janë malazezë, etj… Do të kishim disi një bashkim dhe homogjenizim që nuk do të zhbehej për një periudhë afatgjatë pasi njerëzit janë të ndryshëm, shoqëria e të cilave është pluraliste. Në një pikë, me propagandë dhe me gjithë këto emocione që janë krijuar mbi këtë propagandë, ti mund të homogjenizosh kombin. Faza tjetër më pas është diferencimi i secilës shoqëri. Mendoj se ky homogjenizim që ka përfshirë rajonin për shumë kohë tashmë, është duke e vrarë këtë shoqëri, është duke e shkatërruar shoqërinë e denjë, duke penguar zhvillimin e saj, ndërsa në komunitetin evropian avancohet. Pra kjo është diçka që qëndron jashtë çfarëdolloj gjendje, çfarëdolloj shoqërie në rajon.

A është shkëmbimi i territorit një shpëtim për Vuçiç në mënyrë që ai të njohë pavarësinë e Kosovës?

BISERKO- Jo, nuk e besoj sepse kjo nuk është një strategji e Vuçiç. Është diçka që ka kohë që ndodh, ai thjesht po përpiqet të dorëzojë diçka, duke mbajtur të njëjtën linjë. Ju e dini që ne kemi pasur debate të brendshme me Kosovën dy vite më parë, dhe të gjithë ishin kundër kësaj. Gjithmonë ishin në pritje të mjedisit të jashtëm apo që konfliktet më mbështetjen e Rusisë të ndryshonin që më pas do të çonte në një rikompozim të kufijve të Ballkanit. Kjo është shumë e rrezikshme. 30 vjet nga shpërbërja e Jugosllavisë, krijimi i shteteve të reja, thjesht merr shumë kohë, konsolidimi i shteteve të reja, tranzicioni, transformimi i vlerave, etj… Jemi ende në të njëjtën agjendë. Rikuperimi i të gjithë Ballkanit do të merrte edhe 30-50 vjet të tjera për të zgjidhur krimet.

Zonja Biserko, gjatë intervistës sonë ju keni përmendur shumë organizata, shumë persona, shumë udhëheqës që janë përfshirë apo kanë gishtin e tyre në këtë çështje. Ju përmendët Mogherinin si person i përfshirë në të tilla bisedime, e cila ishte shefja e diplomacisë së BE-së më parë. Cili ishte roli i saj në këto bisedime?

BISERKO- Mendoj se ajo e lejoi shndërrimin e formatit, pasi formati i mëparshëm ishte ai i Brukselit, dhe ajo në një farë mënyre e vendosi mënjanë.

Që në fakt nuk duhej ta bënte.

BISERKO- Ajo e lejoi dhe i gjithë niveli humbi domethënien. Më pas i hynë bisedimeve të fshehta, takimeve të fshehta për të cilat ne ishim shumë pak të informuar. Ti mund të gjesh në disa media këtu apo në disa artikuj të çështjeve të jashtme, dhe Timothy Less, ish-diplomat britanik ishte i pari që erdhi më një format të tillë, për të riformuar kufijtë në Ballkan, kjo ishte në 2016-ën në ‘Foreign Affairs’, ishte në artikullin e tij. Ai shpeshherë e sillte një ofertë të tillë.

A është i lidhur ky diplomat me Tony Blair?

BISERKO- Nuk e di se me cilin është i lidhur, pasi e di që Britania është kundër idesë së shkëmbimit të territoreve. Ata kanë qenë për një Kosovë të pavarur brenda territoreve të saj të njohura. Megjithatë, qindra shtete e kanë njohur Kosovën në kufijtë e saj, ashtu sikurse edhe ato të ish-republikës jugosllave. Kështu që ata nuk mund të kenë ndryshuar pozicionin e tyre.

Ju folët më herët për procesin e lobimit dhe përmendët organizatën East West që në dijeninë time është një organizatë e lidhur me George Soros. Ju gjithashtu përmendët zotin Soros si person i përfshirë në këtë proces.

BISERKO- Djalin e tij.

Po, djali i tij. Kam edhe një pyetje për të… Çfarë interesi ka zoti Soros duke u përfshirë në këtë dialog mes dy vendesh? Kjo shkon edhe kundër parimeve të tij për kufij të hapur…

BISERKO- Jam plotësisht dakord. Nuk e di nëse kam përgjigjen e duhur për ju, por do të spekuloj. Ai ka dështuar në Hungari dhe në shumë vende të tjera të Evropës Lindore, në Rusi… Mbase dëshironte të ishte i suksesshëm dhe të njihej nga udhëheqës të qeverive këtu në rajon. Kjo mund të jetë një arsye, tjetër nuk shoh.

A ka interesa ekonomik për Soros në këto bisedime apo në këtë marrëveshje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë?

BISERKO- Mbase mund të ketë, nuk përjashtohet si mundësi, por nuk jam e sigurt, është e mundshme.

Dikush ka përmendur minierën e Trepçës si çelësi i kësaj marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

BISERKO- ka shumë teori për Trepçën, se kush është i përfshirë dhe si është i përfshirë, nga grupet e korporatave e deri tek Soros, e shumë të tjerë në Evropë. Nuk e dimë me saktësi se kush është i përfshinë dhe ku. Këto janë spekulime apo teori të cilat në këtë pikë nuk mund të vërtetohen. Unë di vetëm thashethemet që lexoj në gazeta, por nuk jam në dijeni.

Le të flasim pak më tepër për lobimin. Në revistën Vreme ju folët për sasinë e mëdha të parave të shpenzuara nga Serbia në SHBA për lobim të kompanive për promovimin e kësaj marrëveshje. A ka pasur një bashkëpunim mes Tiranës dhe Prishtinës në këtë proces lobimi? A kanë punuar së bashku për këtë proces?

BISERKO- Vetëm gjatë kohëve të fundit Prishtina ka pasur një grup lobimi që përpiqej të bindte qeverinë franceze për një marrëveshje të tillë. Ka pasur qasje të ndryshme si nga Prishtina ashtu edhe nga Beogradi edhe nga qeveritë e perëndimit për grupe lobimi. Ne nuk i njohim ato, por mund të shohim disa prej tyre që e mbështesin. Ka pasur grupe të tilla që kanë lobuar për qeverinë franceze apo për ata që lobojnë për qeverinë amerikane. Pra kjo ka qenë një sipërmarrje e madhe, ndaj thashë që në një moment u duk gati e vërtetë që kjo marrëveshje do të funksiononte, por fatmirësisht nuk funksionoi.

Çfarë pritet të ndodh pas çmontimit të këtyre përpjekjeve nga ana e Prishtinës dhe Beogradit për marrëveshjen e shkëmbimit të territoreve pas deklaratës së Bolton, i cili tha se ishin serbët dhe shqiptarët që e kërkuan diçka të tillë? Si e shihni të ardhmen e negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit? Kosova tashmë ka një qeveri të re me zotin Hoti, ndërsa në Serbi asgjë nuk ka ndryshuar me zgjedhjet e fundit. A ndryshon diçka tani apo ende notojmë në ato ujëra?

BISERKO- Mendoj se nuk do të ndodhin shumë gjëra këtë verë. Ata do të zhvillojnë një takim me zonjën Merkel dhe Macron.

Zoti Hoti ndodhet në Paris…

BISERKO- Po, por nuk mendoj se do të ndodhin shumë gjëra. Besoj se të dyja palët, si Gjermania ashtu edhe Franca do të vijojnë me të njëjtën teori që dialogu duhet të vazhdojë. Nuk janë në nxitim për të arritur një marrëveshje në mënyrë urgjente, besoj se janë më tepër për një normalizim të marrëdhënieve dhe implementim të marrëveshjes së nënshkruar. Dhe natyrisht, ka një paketë të re për Ballkanin pas asaj që ishte rënë dakord parimisht në Samitin e Zagrebit. Të gjithë jemi përballur me pandeminë e Covid-19, ndihma apo mbrojtja e rajonit është shumë e rëndësishme. Besoj se pasi të jetë e qartë se ku do të shkojë Kosova pas këtyre zgjedhjeve, megjithatë në çdo rast, kryeministri Hoti është kundër ndarjes, e ka thënë këtë disa herë. Për këtë arsye do të jetë shumë e vështirë për zotin Thaçi të vazhdojë me këtë propozim apo të ndjekë pas Beogradin. Nga ana tjetër nuk e dimë ende se çfarë do të ndodh me Kosovën, a do të konfirmohet apo jo aktakuza, a do të japë dorëheqjen zoti Thaçi apo jo, kjo është diçka që preferoj të mos i hyj pasi do të ndodhë me kalimin e kohës. Besoj se nuk do të ketë një marrëveshje tani, do të ketë një proces ashtu sikurse nisi. BE dhe Gjermania një rol kyç dhe mendoj se si Kosova ashtu edhe Serbia, ta shohin me më tepër seriozitet rolin e Gjermanisë në këtë proces. Nga ana tjetër, roli i Amerikës varet nga ai i cili do të dalë fitimtar në zgjedhjet e nëntorit. Besoj se Amerika do të shkojë përsëri në pozicionin e saj fillestar dhe do të heqë dorë nga roli i ndarjes. Megjithatë nuk besoj se Amerika do të jetë një prezencë e fortë në rajon në këtë periudhë edhe nëse përzgjidhet Biden pasi Amerika ka problemet e saj të brendshme, ashtu sikurse kanë dal në pah gjatë krizës së Covid-19, gjithashtu edhe marrëdhëniet e saj me Kinën. Ndaj prioritet do të jetë Paqësori dhe çështjet e brendshme, që janë mjaft serioze do të thosha dhe kërkojnë reflektim serioz për shoqërinë amerikane. Pra politikat aktuale varen gjithashtu nga to.

Pra, duke i analizuar të gjitha këto, a mund të themi se aktakuzat e ngritura për Thaçin para se ai të mbërrinte në Uashington, e shpëtoi apo e tërhoqi këtë marrëveshje për shkëmbim të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës? Si e patë ju këtë lëvizje dhe a ka një përplasje këtu mes BE-së dhe SHBA-ve për Ballkanin?

BISERKO- Besoj se kjo lëvizje ishte e papritur. Se kush fshihet pas saj është e vështirë ta thuash pasi ka shumë ndasi rreth kësaj çështje. E para është se Tribunali u përpoq të ndalonte përpjekjen e Thaçit për të bindur Bolton dhe Grenell, apo Thaçi po kërkonte një amnisti apo diçka të ngjashme. Është shumë e vështirë për tu kuptuar, nuk do t’i hyja spekulimeve të tilla pasi nuk e dimë me siguri. Por gjithsesi e ndaloi këtë takim në Uashington, kjo natyrisht luajti në favor të pozicionit të BE-së pasi Bashkimi Evropian tashmë po mbështet procesin, po mbështet Ballkanin dhe mendoj se kjo është gjëja e duhur. A lidhet me Tribunalin apo jo, kjo është diçka tjetër. Natyrisht që është për të ardhur keq që këto spekulime janë të mundshme, qofshin vendime politike ose jo, është e vështirë për t’u thënë. Mendoj se kjo ndërhyrje në këtë çështje, e ndaloi për momentin dhe e çoi në një tjetër drejtim, drejt atij të BE-së dhe Brukselit.

Në analizën tuaj, kur mendoni ju se do të ketë një normalizim të marrëdhënieve mes serbëve dhe shqiptarëve? Pasi le ta themi, marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit janë të shkëlqyera për sa kohë në pushtet do të jetë zoti Rama.

BISERKO- Besoj se normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës do të marrë kohë, pasi Serbia duhet të kuptojë disa bëma të saja në Kosovë, para, përgjatë dhe pas ndërhyrjes së saj. Ky nuk do të jetë një proces i lehtë pasi Serbia e mohon dhe akuzon Perëndimin për ndërhyrjen në Serbi, pasi Serbia është një aleat i ngushtë me Rusinë dhe është diçka irracionale, të cilën ata përdorin. Por normalizimi do të varet shumë edhe nga zhvillimet ekonomike, shkëmbimi ekonomik është diçka e mirë. Serbia ka shkëmbime të mëdha tregtare dhe kur tarifat u vendosën ata u ankuan për këtë pasi goditi asetet e saj. Serbia është një eksportues më i madh me Kosovën sesa me Rusinë për shembull, ndaj bashkëpunimi rajonal, bashkëpunimi ekonomik është relevant për çdo vend të rajonit. Ndaj Serbia nuk ka asnjë alternativë tjetër përveçse të arrijë rajonin dhe BE-në gjithashtu, shpresojmë. Por bashkëpunimi rajonal, normalizimi i marrëdhënieve rajonale i shërben zhvillimit të rajonit. Ndryshe, të gjitha shoqëritë dhe shtetet do të vijojnë me trendin e tyre agresiv që po i çojnë shoqëritë drejt konditave të paimagjinueshme. Fatkeqësisht, komuniteti ndërkombëtar i BE-së u vonua në njohjen e këtyre trendeve dhe ky fokus politik i etnikëve në rajon, ka arritur t’i mbajë këto komunitete larg zhvillimit dhe normalizimit të marrëdhënieve.

Kam një pyetje tjetër, për një aktor tjetër në këtë proces dialogu që ishte i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për Ballkanin, Richard Grenell. Si e përcaktoni ju sjelljen e tij, deklaratat e tij, meditimin mes serbisë dhe Kosovës?

BISERKo- Besoj se në përgjithësi, sjellja e ti është aspak diplomatike, ashtu sikurse ka qenë në Gjermani, në Berlin. Ata nuk e kanë pëlqyer atë dhe e mikpritën vendimin për ikjen e tij nga posti. Ai gjithashtu nuk ka qenë aspak diplomat në përballjen me udhëheqësit lokal në rajon. Natyrisht ai e mohon se po shkonte drejt rrugës së ndarjes, dhe në fund kur takimi u anulua, ai tha që takimi ishte në të vërtetë për bashkëpunim ekonomik, iniciativa ekonomike, mbështetje ekonomike për rajonin, që është e rëndësishme, por nuk e di nëse është e gjithë e vërteta.

Zonja Biserko, në opinionin tim, Shqipëria dhe Serbia kanë diçka të përbashkët në udhëheqësit e tyre. Zoti Vuçiç dhe zoti Rama janë të njëjtë në opinionin tim, janë shumë autoritarë dhe le të themi, udhëheqin me forcë, edhe me propagandë gjithashtu. Ajo çka ne kemi të përbashkët janë edhe zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës. E njëjta gjë ndodhi edhe në zgjedhjet e fundit në Serbi, ku zgjedhjet u mbajtën pa opozitën. Cilat janë të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Serbisë? Kur mendoni ju se do t’i vijë fundi epokës së udhëheqësve autoritarë?

BISERKO- Mendoj se si Shqipëria, ashtu edhe Serbia si dhe shoqëritë e tjera të rajonit janë shumë autoritare dhe nuk ka për të ndryshuar shumë. Kemi institucione demokratike, por në të vërtetë janë shumë patriarkale dhe shoqëri autoritare. Problemi është se opozita nuk po ofron programe alternative, nuk është shumë funksionale ashtu sikurse duket qartë në rastin tonë para dy javësh, kur patëm një bojkot të opozitës, e cila nuk ia doli të mobilizojë njerëzit kundër zgjedhjeve. Kishim një dalje 50 përqind të popullatës në zgjedhje dhe në këtë rast, zgjedhjet quhen legjitime. Natyrisht që kishte shumë të meta, por komuniteti ndërkombëtar i njohu këto zgjedhje ashtu sikurse zgjedhjet në Shqipëri shumë herë më pak njerëz morën pjesë në to.

Mendoj se ka një perceptim të shoqërisë, të cilëve u nevojitet dikush t’u flasë, në të kundërt, të presësh konsolidimin e opozitës dhe të ofrojë diçka në mënyrë konstante, do të merrte kohë. Pra ata duhet të përballen më dikë që arrin ta mbajë vendin në një farë mënyrë, nën kontroll. Për fat të keq, asnjëra nga këto shoqëri nuk është… nuk ka dialog, një qasje të menduarit pozitivisht, apo gazetarët investigativë, të cilët janë nën shënjestër me fushatë njollosëse, kriminalizohen e dërgohen në gjyq. Ndaj mendoj së është gjendja e shoqërisë sonë. Kishte shumë shpresë se pas kësaj periudhe post-socialiste, shoqëritë e këtyre vendeve do të ktheheshin disi demokratike, por tani shohim se kjo do të zgjas për dekada. Kjo kërkon edhe përpjekjen e shoqërisë dhe të gjithë neve. Të gjithë duhet të jemi më guximtar dhe më aktiv në shoqëri. Askush nuk do të na japë ne demokraci, është diçka për të cilën ne duhet të luftojmë në përditshmërinë tonë.