Kryeministri britanik: Nga tetori, tifozët në stadiume

Përhapja e koronavirusit ka bërë që tifozët ta kenë të pamundur t’i përcjellin ekipet e tyre të zemrës nga stadiume që nga marsi, mirëpo kryeministri i Britanisë ka bërë të ditur se kjo situatë nuk do të zgjasë përtej tetorit.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, pret që tifozët të kthehen nëpër stadiumet e futbollit nga tetori në Angli, përderisa ka lajmëruar zbutje të mëtutjeshme të masave për koronavirusit.

Të premten, Johnson mbajti konferencë për media për t’i bërë të ditura këto masa të reja, përderisa për tifozët tha: “Nga tetori synojmë t’i kthejmë audiencat nëpër stadiume”.

Aktivitetet sportive, përfshirë këtu ndeshjet e futbollit ishin suspenduar në mars shkaku i përhapjes së koronavirusit në botë dhe ndeshjet nuk u kthyen deri në qershor, pikërisht 100 ditë pas ditës kur u suspendua liga në Angli.

Megjithatë, përderisa ndeshjet rinisën në mes të qershorit, tifozët s’janë lejuar të kthehen nëpër stadiume, mirëpo e gjitha kjo tani pritet të ndryshojë brenda një periudhë tremujore.

Ky ndryshim do t’u konvenojë më së shumti klubeve të nivelit më të ulët të futbollit në Angli, pasi që ato klube varen më shumë nga paratë që fitohen nga ardhja e tifozëve në stadiume sesa nga sponsorët, nga të cilët fitojmë më shumë klubet elitare.