Krimet Kundër Njerëzimit të kryera nga Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët duhet të adresohen në Gjykatën Ndërkombëtare Penale

Nga Erl KODRA

Shqipëria ka nënshkruar Statutin e Romës më 18 korrik 1998, si dhe depozituar dokumentet e ratifikimit pranë Gjykatës Ndërkombëtare Penale më 31 Janar 2003.

Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (referuar shpesh si Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare ose Statuti i Romës) është traktati që themeloi Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC). Statuti i Romës u miratua në një konferencë diplomatike në Romë, Itali më 17 korrik 1998 dhe ajo hyri në fuqi më 1 korrik 2002. Që nga nëntori i vitit 2019, 123 shtete janë palë në statut. Ndër të tjera, statuti përcakton funksionet, juridiksionin dhe strukturën e gjykatës.

Sipas Statutit të Romës, krimet kundër njerëzimit janë veprime të caktuara që janë kryer me qëllim si pjesë e një sulmi të përhapur ose sistematik, të drejtuar kundër çdo civili ose një pjese të identifikueshme të një popullate civile. Për ndryshim nga Krimet e Luftës, Krimet Kundër Njerëzimit kryhen edhe në kohë paqeje.

Në Nenin 6 të Statutit të Romës thuhet:
Për qëllimin e këtij Statuti, “gjenocid” nënkupton çdonjë nga veprimet e mëposhtme, të kryera me qëllim të shkatërrimit, tërësisht ose pjesërisht, të një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar, si i tillë:

(a) Vrasja e anëtarëve të grupit;
(b) duke shkaktuar dëm serioz trupor ose mendor te anëtarët e grupit;
(c) duke dëmtuar qëllimisht kushtet e jetesës së grupit, me synim për të sjellë shkatërrimin e tij fizik, tërësisht ose pjesërisht;
(d) masa imponuese me qëllim parandalimin e lindjeve brenda grupit;
(e) Transferimi me forcë i fëmijëve të grupit në një grup tjetër.

Në të drejtën zakonore ndërkombëtare, nënshkrimi, ratifikimi dhe depozitimi i dokumentave të pranimit nga Shtetet Palë, nënkupton pranimin e plotë edhe të detyrimeve ndërkombëtare, si dhe të gjithë Artikujt e Konventës ose Statutit të Miratuar. Kjo do të thotë se Shqipëria është Shtet Palë në Statutin e Romës dhe pranon çdo vendim të marrë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, në çdo padi të ngritur kundër individëve dhe shtetasve të saj, kushdo qofshin ata, për Krime Kundër Njerëzimit dhe Krime Gjenocidi.

Por a ka kryer Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij Krime Kundër Njerëzimit dhe Krime Gjenocidi përgjatë viteve 1944 – 1990? A ka vrarë ai njerëz të pafajshëm, pjesë të një grupi të caktuar të popullsisë, ashtu siç përashikohet në Nenin 6 të Statutit të Romës? Sa është numri i këtyre të vrarëve të pafajshëm? Sa është numri i të dënuarve të pafajshëm me vite të gjata burgu, dhe me punë të detyruar skllavëruese? Sa është numri i fëmijëve që kanë pësuar trajtim çnjerëzor dhe degradues? Sa është numri i klerikëve (kryesisht klerit katolik) të vrarë dhe të pushkatuar pa gjyq përgjatë këtyre viteve?

Këto pyetje retorike rëndojnë në ndërgjegjen e popullit shqiptar, fjalë për fjalë, ashtu siç përcaktohet në Preambulën e Statutit të Romës;
“Të ndërgjegjshëm që gjatë këtij shekulli miliona fëmijë, gra dhe burra kanë qenë viktima të mizorive të paimagjinueshme që trondisin thellësisht ndërgjegjen e njerëzimit,”

Në respekt të atyre burrave dhe grave, fëmijëve dhe të rinjëve, që iu mor jeta në mënyrë të dhunshme përgjatë regjimit terrorist të Enver Hoxhës; të zhdukurve me forcë, të burgosurve politikë, të punës së tyre skllavëruese, shqiptarët duhet të kërkojnë qoftë edhe drejtësi ndërkombëtare; për shkak se këto Krime Kundër Njerëzimit dhe Gjenocidi janë kryer në një vend të pavarur, të njohur ndërkombëtarisht, pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, edhe nën heshtjen e komunitetit ndërkombëtar.

Popujt e civilizuar i dënojnë kriminelët e tyre, ata turpërohen prej akteve makabre të kryera përgjatë historisë, për më tepër, ata i gjykojnë vrasësit e njerëzimit nëpërmjet proceseve ligjore të drejta dhe të hapura, me qëllim që të pastrojnë ndërgjegjen e kombit.

***

Debati i ashpër publik që u hap pas publikimit të Auron Tares të disa dokumentave të CIA për autorët Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, në të vërtetë duhet adresuar. Por cila duhet të jetë qasja reale dhe e drejtë për çka ka ndodhë përgjatë 46 viteve të regjimit terrorist? Cilat duhet të jenë kriteret që përcaktojnë armiqtë dhe tradhëtarët, në të vërtetë, kush është armiku real, ai që ka kryer qëllimisht krime kundër njerëzimit, domethënë, pjesës së njerëzimit me përkatësi etnike shqiptare?

Kjo është një pyetje e mirë, që unë po përpiqem t’a përkufizoj si më poshtë;

Krime Kundër Njerëzimit dhe Gjenocid është kryer nga Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij që prej vitit 1944 deri ne vitin 1990, kundër pjesëve të caktuara të popullsisë dhe grupeve shoqërore, duke shkaktuar mijëra të vrarë dhe të zhdukur me forcë, mijëra të burgosur politik dhe mijëra të internuar, me qëllim të qarta terrori politik. Në këtë kuptim, Enver Hoxha (si dhe bashkëpunëtorët e tij) është armik i njerëzimit, i ngjashëm ose i barabartë me Mbretin Leopold II i Belgjikës, me Adolf Hitler, Josef Stalin, Pol Pot ose Sllobodan Millosheviç.

Vrasjet masive të Klerit Katolik Shqiptar janë prova më eminente e Krimeve Kundër Njerëzimit dhe Gjenocidit, të parashikuara saktësisht në Nenin 6 të Statusit të Romës, në pikat a, b, c dhe e. Po ashtu, edhe Kampi i Tepelenës ku vdiqën rreth 300 fëmijë dhe pasardhës të kundërshtarëve politik të regjimit terrorist të Enver Hoxhës, plotëson të gjitha rrethanat e parashikuara në këtë Nen, si Krime Kundër Njerëzimit dhe Krime Gjenocidi.

Shumë eksponent që bëjnë avokatinë e Regjimit Terrorist të Enver Hoxhës përdorin togfjalëshin “ishte koha”, me qëllim justifikimin e masakrave makabre të kryera kundër një pjese të njerëzimit. Ajo çka mund të thuhet në këtë rast është një pyetje shkatërrimtare;

Për cilën kohë e keni fjalën, zotërinjë?! Për kohën e vrasjeve masive të popullit?!

Epo, këto krime nuk janë dënuar ndonjëherë. Ato Krime Kundër Njerëzimit nuk do të pushojnë së ekzistuari, sa kohë që ato nuk janë dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.