Koduzi: Qeveria ka dështuar në luftën ndaj Covid-19! Nuk ka asnjë strategji

Në një intervistë për “Edicionin e Pasdites” në Syri TV, mjeku dhe zyrtari i Departamentit të Shëndetësisë në PD, Gazment Koduzi ka komentuar rritjen e rasteve me Covid-19 në vend dhe masat e munguara të qeverisë.

Sipas tij, “kërkohen kapacitete spitalore pasi kur shkon në spital nuk duhet thjesht një shtrat apo një infermiere që të shërben, por një institucion që i ka të gjitha pajisjet. Unë dyshoj se spitalet në vend i plotësojnë këto kushte”.

I pyetur nga gazetarja Armela Ferko se, sa e rrezikshme është kjo situatë dhe a mund të kemi një rikthim të karantinës, Koduzi u përgjigj:

“Unë as që dua ta çoj në mendje dhe nuk do merrem me këtë çëphtje. Qeveria shqiptare duhet të marrë masat për të rritur kredibilitetin. Shqipërisë iu mbyllën kufijtë pas 10 vitesh për shkak të mungesës së informacionit shëndetësor. Edhe Serbia ka patur një rritje rastesh, por ka rritur edhe testimet, 12-13 fish më shumë se Shqipëria.

Shqipëria duihet të rrisë testimet. Po dëmton shëndetin e shqiptarëve dhe ekonominë e tyre. Qeveria ka dështuar. Nuk ka një strategji si do të dalë, nuk ka një strategji për rritjen e testimeve, nuk ka një strategji për rritjen e kapaciteteve trajtuese spitalore”.

Por a ka qeveria fonde për këto masa?

“Ne kemi fonde. Mjafton që të ndërpresë menjëherë koncensionet dhe dalin fondet për kalimin me sukses të kësaj situate. Por Rama nuk do ta bëj se janë klientët e tij”, tha Gazment Koduzi.