Koduzi: Në SHBA ka një parashikim apokaliptik për situatën e koronavirusit në vendin tonë

Kreu i Departamentit të Shëndetësisë në PD, Gazmend Koduzi u shpreh në “Ditari” në A2 se në SHBA ka një parashikim apokaliptik për situatën e koronavirusit në vendin tonë.

“Një faqe amerikane interneti, IHME, bën parashikime se si do të shkojë situata me Covid-19 në vende të ndryshme. Kjo faqe parashikon që në 1 tetor, në Shqipëri do të ketë 1306 vdekje. Është parashikim apokaliptik nëse vazhdohet me këtë keqmenaxhim situate. Nga 16 qershori deri më sot kemi 40 vdekje, më shumë se atëherë kur quhej kulmi i pandemisë”, tha Koduzi.

Po çfarë është IHME?

Bëhet fjalë për Institutin e Vlerësimit dhe të Dhënave për Shëndetësinë, me qendër në SHBA. Instituti merret me përpunimin e statistikave globale në shëndetësi dhe është pjesë e Universitetit të Uashingtonit në Siatëll.

Sivjet IHME publikoi modelin e vdekjeve për pandeminë e Covid-19 në SHBA, që është përshkruar si model me shumë me ndikim dhe ka shërbyer si udhëzues dhe informues për administratën e Donald Trump.