Kënaqësi dhe vlerësim i veçantë të takohem dy herë brenda pak ditëve me Kryeministrin e Kosovës

Nga Lulzim BASHA

Kënaqësi dhe vlerësim i veçantë të takohem dy herë brenda pak ditëve me Kryeministrin e Kosovës, për më tepër në momentet kur Kosova po përjeton zhvillime të rëndësishme.

Si nip i Kosovës, Qytetar Nderi i Prishtinës, por edhe për shkak se kam punuar për shumë vite në këtë vend, është gjithmonë kënaqësi të rikthehem në Prishtinë.

Situata e rënduar e shkaktuar nga COVID-19, është emergjente për të dy vendet. Është e rëndësishme që situata të vendoset nën kontroll sa më shpejt, dhe për këtë Kryeministri i Kosovës më njohu me masat e fundit për decentralizimin e testimeve për COVID-19.

Përgëzova zotin Hoti për ndihmën ekonomike që qeveria e Kosovës i ka dhënë qytetarëve të saj, duke qenë vend lider në rajon për mbështetjen e ofruar ndaj qytetarëve dhe biznesit.

Gjatë bisedës i shpreha Kryeministrit Hoti, vlerësimin për kontributin dhe vendimmarrjen për procesin e dialogut me Serbinë. Lidership-i i Kosovës, me këtë vendim ka treguar largpamësi, forcë dhe kohezion.
Ky dialog duhet të ketë si përfundim njohjen reciproke të Kosovës. Unë dhe PD do të ofrojmë të gjithë mbështetjen tonë, dhe jemi gati të kontribuojmë aty ku lidership-i i Kosovës mendon se është i nevojshëm.
Ashtu siç kemi bashkëpunuar për shpalljen e pavarësisë dhe njohjen ndërkombëtare, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë sot në opozitë dhe nesër në qeverisjen e vendit, për të garantuar arritjen e objektivave të qytetarëve të Kosovës, duke nisur me liberalizimin e vizave, proces të cilin ne e kurorëzuam me sukses në vitin 2010, anëtarësimin në OKB, NATO dhe avancimin në procesin e integrimit në BE.

Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të mbetet vetëm në fjalë dhe në letra. Ai duhet konkretizuar me vepra. Dhe një nga vendimet e mia të para si Kryeministër i Shqipërise do të jetë heqja e taksës së Rrugës së Kombit dhe rivënia e saj pa asnjë ndalesë në shërbim të qytetarëve dhe ekonomisë së të dy vendeve.

Shqipëria dhe Kosova kanë potenciale të shumta për bashkëpunim mes dy vendeve, dhe ne duhet të punojmë fort që rinia e Shqipërisë dhe Kosovës të mos largohen, por të jetojnë e punojnë në vendin e tyre.

Bashaaa

Basha1 3