Italia fiton betejën me Covid-19/ Ministri i Shëndetësisë: Ne ja dolëm, më e keqja ka kaluar!

Ministri i Shëndetësisë në Itali ka komentuar së fundmi punën e bërë nga vendi për përballimin e pandemisë së koronavirusit. Sipas Roberto Speranzas, Italia ka ende goxha punë për ta eliminuar virusin ndërsa shtoi se më e keqja ka kaluar tashmë sa i përket krizës.

“Mendoj se Italia ia doli. Nuk jam duke menduar për qeverinë, por për vendin si një të tërë. E kemi kaluar stuhinë, edhe pse nuk jemi akoma një parajsë e sigurt” deklaroi Speranza.

Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Mbrojtjes Civile në Itali, 15 vdekje të tjera të lidhura me koronavirusin janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 128 raste të reja janë konfirmuar.

“Ne ishim të parët që u goditën në botë pas Kinës. Ne nuk kishim një manual udhëzimi, duhet të mësonim rreth virusit”, tha Speranza.

“Situata ndërkombëtare është shqetësuese, jemi në momentin më të keq të epidemisë në botë,” shtoi ai, duke paralajmëruar se kriza do të mbetet “vetëm një gjë e së kaluarës”, kur të zhvillohet një vaksinë e suksesshme.