Humbin jetën 2 qytetarë të tjerë tek Infektivi, numër rekord rastesh të reja me Covid-19

Dy persona të infektuar me Covid-19 kanë ndërruar jetë në spitalin Infektiv në 24 orët e fundit, një 81 vjeçar nga Shkodra dhe një 63 vjeçar nga Elbasani.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, janë kryer 420 testime, dhe janë konfirmuar pozitiv 90 raste, shumica e të cilëve në Tiranë.

Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se, dy persona që humbën jetën ndodheshin të shtruar prej disa ditësh në spitalin Infektiv, në gjendje të rënduar.

Sipas MSH, situata në spitalin infektiv paraqitet serioze, me pacientë që trajtohen në terapi intensive por edhe pacientë të intubuar, një pjesë e tyre mosha të reja. Aktualisht janë të shtruar 81 pacientë në spital, 11 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 5 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rënde.

Njoftimi i plotë i Ministrisë

Situata në spitalin infektiv paraqitet serioze, me pacientë që trajtohen në terapi intensive por edhe pacientë të intubuar, një pjesë e tyre mosha të reja. Aktualisht janë të shtruar 81 pacientë në spital, 11 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 5 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rënde.

Fatkeqësisht dy qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në spitalin infektiv. Një 81 vjeçar nga Shkodra dhe një 63 vjeçar nga Elbasani, të shtruar prej disa ditësh në spitalin infektiv në gjendje të rënduar, nuk kanë mundur të mbijetojnë, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 420 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 90 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 36 raste në Tiranë, 15 në Durrës, 11 në Vlorë, nga 8 raste në Kukës, Krujë, 4 në Kurbin, 3 në Elbasan, 2 në Lushnje, nga 1 rast në Lezhë, Kamëz, Dibër.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 43 qytetarë, duke e çuar në 1875 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1318 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i rikujton bizneset se duhet të respektojnë me rigorozitet protokollet për të ruajtur shëndetin e punonjësve dhe qytetarëve.

I drejtohemi me një lutje të gjithë qytetarëve: Tregohuni të kujdesshëm, respektoni distancimin fizik, higjienën personale. Mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura është e domosdoshme. Mbani maskën kudo ku nuk mund të ruani distancën fizike, për të mbrojtur veten dhe të tjerët, për të parandaluar përhapjen e infeksionit.

Izolohuni nëse keni shenja të sëmundjes dhe telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.

Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.