Halli i vërtetë i Ramës

Nga Red VARAKU

Nëse do të kishim një mazhorancë vërtet serioze, gjëja më e rëndësishme për të në këtë proces zgjedhor nuk do të ishte fituesi i tyre , por do të ishte besueshmëria e procesit, sepse nëse cënohet besueshmëria e tij që tani, ato zgjedhje, jo vetëm që do të kontestohen, por as nuk do të pranohen nga opozita .

Normalisht, kodi zgjedhor, sidomos në rastin konkret ku kemi pasur një ofensivë të jashtëzakonshme opozitare, me djegje mandatesh dhe bojkotim zgjedhjesh, kauza kryesore e të cilave ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme, minimalisht duhet t’i lihej në dorë “kundërshtarit”, kjo jo vetëm për t’i mbyllur gojën, por për të treguar edhe një vullnet serioz politik përballë partnerëve.

Dhënia e ekskluzivitetit për kodin opozitës do të ishte një gjest fare normal, kjo më së paku për të garantuar dhe qetësuar opozitën, por dhe për t’i treguar partnerëve, vullnetin që këto zgjedhje nuk do preken.

Çuditërisht në vend të kësaj po ndodh krejt e kundërta. Mazhoranca po sillet sikur nuk është fare në pushtet dhe sikur nuk ka asnjë përgjegjësi për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Ajo po sillet sikur përgjimet e BILD dhe Zërit të Amerikës, ku e gjithë elita e saj parakalonte duke vjedhur zgjedhjet, janë sajesa kazanesh, për të cilat ajo nuk ka asnjë përgjegjësi.

Ndërkohë, kemi një kryeministër të tmerruar nga zgjedhjet, që kërkon fitoren në tavolinë duke shkelur kushtetutën nëpërmjet ndryshimit të kodit zgjedhor në favor të tij !

Është e habitshme kjo frikë e tij, kur si asnjë tjetër në historinë e pluralizmit politik, sot ai i ka në dorë të gjitha pushtetet, pushtetin legjislativ, pushtetin egzekutiv, pushtetin gjygjësor përfshi dhe pushtetin e katërt, median.

Gjithashtu, ai ka në dorë të gjithë administratën, policinë,dhe ka në shërbim të tij dhe krimin e organizuar. Të gjitha këto ai nuk i përdor vetëm si mekanizma për të blerë dhe vjedhur vota, por i përdor edhe si kamzhik kundër opozitës .

Ai ka nën kontroll të padiskutueshëm edhe PS-në, të cilën e trajton si lavire për të kënaqur epshet e tij personale dhe askush nuk pipëtin për këtë!

Pra, pa egzagjerim, ai është sot një njeri, që po pëllcet nga pushteti.

Do të mjaftonte vetëm fakti që opozita u tërhoq nga kërkesa e saj kryesore për një qeveri tranzitore pa Ramën kryeministër, arsye për të cilën ajo hoqi dorë nga mandatet , bojkotoi zgjedhjet dhe udhëhoqi protestat më të mëdha në Shqipëri, pas atyre të 1990, që ai të pranonte çdo lloj kodi zgjedhor që do të pranonte dhe opozita në mënyrë që të garantonte dhe besueshmërinë e zgjedhjeve.

Por, sërish ka frikë. Ashtu si çdo dhunues i popullit të tij, ai ka frikë nga verdikti popullor. Ndaj, po tenton ta mbajë pushtetin me dhunë, nëpërmjet mekanizmave të njohura, që përdorin të gjithë diktatorucët modernë, nëpërmjet ndryshimeve anti-kushtetuese.

Edhe pse për këto ndërhyrje, ai është paralajmëruar ashpër nga BE, se po rrezikon bllokimin e integrimit, ai sërish është aq i pacipë, sa thotë se këtë po e bën në emër të interesit të shqiptarëve.

Fakti që u investua në shitjen e gjakut dhe territoreve të Kosovës, fakti që e poshtēroi Shqipërinë duke e kthyer në kurtizane të Serbisë dhe fakti që ka vendosur të marrë përsipër edhe koston e bllokimit të integrimit, dëshmon që halli i tij duhet të jetë vërtetë i madh.

Kjo sepse atij nuk i është dhënë asnjë garanci për të ardhmen e tij. Edhe pse shpesh tejkalohet, ky është një zhvillim i jashtëzakonshëm, sepse për herë të parë një kryeministër shqiptar rrezikon seriozisht ndëshkimin dhe me ndëshkim nuk e kam fjalën vetëm me largimin nga pushteti.

Ndaj, i gjithë ky zell i ri për të ngritur dallgë sovranizmi dhe rebelimi kundër ndërhyrjes së SHBA dhe BE në zgjidhjen e krizës, tregon të vërtetën e hidhur, që Edi Rama nuk ka guxim ta thotë hapur, pra atë të frikës nga mospasja e asnjë garancie për të ardhmen e tij.

Dhe atë garanci nuk do ta ketë kurrë! Fati i tij do të jetë fati i çdo diktatoruci, që guxon të luajë me popullin e tij. Ndaj, askush nuk duhet të bjerë prè e provokimeve të tij të fundit. Sepse, një qen të cilit ia kanë shkulur të gjitha dhëmbët, nuk kafshon dot më, sado që të lehë plot pompozitet.