Ballukja “sharmante” e Ralf Gjonit

Nga Erl KODRA

“Opozita” parlamentare ka të drejtë. 15 milion shqiptarët që përfaqëson Myslym Murrizi, Ralf Gjoni, Kujtim Gjuzi, Jenisheri, Kërpërata dhe Kaçurrelsi kërkojnë të ndryshojnë rregullat, pavarësisht se loja ka filluar. Ata kanë të drejtë të ndryshojnë Kushtetutën, të ndalojnë koalicionet parazgjedhore, madje kanë të drejtë të ndërlikojnë sa më shumë që të jetë e mundur vet procesin zgjedhor, aq sa ai të jetë mjaftueshëm i përshtatshëm që Edi Rama të fitojë zgjedhjet. Biles, ata kanë të drejtë edhe t’i anulojnë fare ato, nëse nuk gjendet një formulë që Edi Rama të shpallet fitues i tyre.

20 milion shqiprarët që qëndrojnë pas zërit të hollë të Myslim Murrizit kërkojnë drejtësi për Edi Ramën, sepse pushteti i takon atij që ka sakrifikuar më shumë për këtë vend. A nuk po e mban ai i vetëm timonin e Shqipërisë, në këto kohë të vështira? Edi Rama po e mban me bukë këtë popull mosmirënjohës, që nuk di të ngopet kurrë.

25 milion shqiptarët që qëndrojnë pas ballukeve sharmante të Ralf Gjonit, kërkojnë të drejtat e mohuara të Kryeministrit Edi Rama, për të cilin nuk kanë të sosur akuzat e Shqupit, si hajdut me PPP, si dhunues i opozitës dhe si Kapo i Krimit të Organizuar. Pikërisht për këto arsye, balluket e Ralfit kanë të drejtë.

Kërpërata dhe Kaçurrelsi kanë të drejtë kur ngrenë zërin për 30 milion votuesit e tyre. Ata nuk duan asgjë më pak ose më shumë se sa atë që kërkon vet Kryeministri, sepse, ata e kanë kuptuar se sa mirë është të gjendesh në Parlamentin e Shqipërisë. Ishte Magjistari i Madh që e bëri të mundur këtë mrekulli.

40 milionët e Kujtim Gjuzit (40 milion zgjedhës) kërkojnë që Naltmadhnia e Tij, Kryeministri Edi Rama të qëndrojë aty ku është. Sepse vetëm kështu do të sigurohemi se nuk do të na mungojnë replikat e nivelit të lartë mes konservatorit Gjuzi dhe liberalit Rama.

Prandaj mos e vrisni mendjen për një pakicë të vogël prej 3 milion shqiptarësh që përfaqësohen nga Opozita Shqiptare.
Ata janë një hiç para dëshirës së dishepujve të Edit.

download