E premtja e zezë/ 4 persona mbyten në lumenjtë e Shqipërisë, i fundit një 18-vjeçar

Pasditen e sotme një i ri i moshës 18-vjeçare doli i pajetë nga ujërat e lumit Drin i Zi në Dibër, ndërsa mësohet se ai është Edison Zuna, nga qyteti i Peshkopisë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00 kur tre të rinj të moshës rreth 18 vjeç kanë qenë duke lundruar në lumë me një varkë me ajër ndërsa adoleshenti ka rënë nga varka dhe ka humbur jetën.

Dyshohet se të rinjtë janë nisur nga ura e Topojanit dhe kur kanë mbërritur tek ura e Telit poshtë fshatit Gradec mund të ketë rënë nga varka për shkak se lumi bëhet i rrëmbyeshëm. Trupi i viktimës është gjetur dhe është nxjerrë rreth 5-6 km më poshtë në fshatin Selane nga disa pushues.

Pak minuta para raportimit të kësaj ngjarje një tjetër person u raportua i mbytur në ujërat e lumit të Vjosës në Fier. Një 31 vjeçar është mbytur teksa është futur për tu larë në ujrat e lumit Vjosë. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes mësohet se 31 vjeçari Armando Begaj është nga fshati Gorishovë njësia administrative Cakran. 31-vjeçari ishte i martuar dhe me një vajzë. Ai kishte shkuar për t’u larë në lumin Vjosë që kalon pranë fshatit Selishtë.

Ai ka qënë së bashku me dy shokët e tij. Kur ai ka kërkuar ndihmë shokët kanë kujtuar se ai po tallej, dhe kur kanë parë se trupi po fundosej dhe e mori rrjedha e lumit kanë kërkuar ndihmë, por e kanë pasur të pamundur që ta shpëtojnë.

Trupi i tij është parë nga bashkëfshatarë të tij që kanë njoftuar policinë, e cila ka shkuar menjeherë në vendin e ngjarjes, por nuk kanë bërë të mundur nxjerrjen e kufomës nga ujrat e ftohta të lumit Vjosë. Pritet shkuarja e polumbarëve për të gjetur trupin e të riut.

Mëngjesin e sotëm, një 39-vjeçar dhe një 14-vjeçar janë gjetur të mbytur në lumin Buna, në afërsi të fshatit Derragjat. Burime bëjnë me dije se personat janë mbytur gjatë ditës së djeshme teksa ishin futur për tu larë në lumë, në fshatin Darragjat të njësisë administrative të Dajçit. Burime bëjnë me dije se kanë humbur jetën dy shtetasit, Dhurim Arra nga fshati Darragjat, 39 vjeç, dhe F.Pëllumbaj 14 vjeç.