Dy pacientë humbin jetën, 96 raste të reja me Covid-19 në 24 orët e fundit, ulet numri i testimeve

Dy pacientë kanë humbur jetën nga Covid-19 dhe 96 raste të reja gjatë 24 orëve të fundit. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se, janë kryer 451 testime, nga të cilat janë 96 raste të reja me Covid 19. Menjëherë sapo ulet numri i testimeve, ulen dhe rastet e reja me Covid 19 në vendin tonë.

Shifrat tregojnë se sa herë që luhatet numri i testimeve, edhe numri i rasteve të reja është në proporcion me to. Gjatë ditës së djeshme kur u krye dhe numri më i madh i testimeve që prej nisjes së pandemisë, u zbuluan dhe më shumë raste të reja, plot 117 të tilla.

Ndërkohë që në 24 orët e fundit dy qytetare kanë ndërruar jetën në spitalin Infektiv. Bëhet fjalë për një 64-vjeçare nga Shkodra dhe një paciente 63-vjeçare nga  Elbasani, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor nuk ka mundur të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon për situatën epidemiologjike në vend ku vijon të ketë raste të reja por edhe shtrime të reja në spital apo pacientë që kanë nevojë për terapi intensive.

I drejtohemi çdo qytetari, të vendosë maskën në ambientet e mbyllura dhe kudo ku nuk ruhet distanca, edhe në ambiente të hapura, të tregoni kujdes me masat e higjienës dhe të ruani distancën fizike nga të tjerët, nëse nuk janë familjarët tuaj.

Në 24 orët e fundit, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 2 qytetare: Një 64-vjeçare nga Shkodra dhe një paciente 63-vjeçare nga  Elbasani, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor nuk ka mundur të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.

Vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv dhe situata paraqitet shumë serioze. Aktualisht janë të shtruar 90 pacientë në spital, 10 pacientë janë në terapi intensive dhe 5 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 451 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 96 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 51 raste në Tiranë, 6 në Shkodër, 5 në Durrës, nga 4 raste në Elbasan, Pogradec, nga 3 raste në Krujë, Kukës, nga 2 raste në Fier, Lezhë, Kavajë, Kamëz, Dibër, dhe nga 1 rast në Kurbin, Korçë, Devoll, Has, Lushnje, Mat, Përmet, Sarandë, Prrenjas, Bulqizë.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 48 qytetarë, duke e çuar në 2062 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1508 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.