Dita e Pavarësisë, fjalimi i historik i Trump: Eshtë injektuar një fashizëm i majtë, do t’i ndalim

Në një fjalim historik në vigjilje të Ditës së Pavarësisë, Presidenti i SHBA-së Donald Trump dha mesazhin e kundërsulmit ndaj së majtës, ‘Deep State’, përpara afro 7500 mbështetësve.

Trump-i u tha mbështetësve të tij që do ta shkatërrojë përfundimisht ‘Deep State’-in dhe disa qendra ndërkombëtare që duan t’i heshtin zërat patriotikë në të gjithë botën perëndimore dhe “të rishkruajnë” historinë e Perëndimit të popujve.

Gjatë fjalimit të Presidentit fluturuan aeroplanë luftarakë dhe u hodhën fishekzjarre me rastin e 4 korrikut.

Arsyeja që fjalimi u mbajt përpara një monumenti historik, ku mbi shkëmb janë gdhendur portretet e katër Presidentëve më të shquar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kishte simbolikën e saj të veçantë, që lidhet me thirrje për anarkokomunistët, për të mos dëmtuar më monumente dhe statuja nëpër Amerikë, si dhe për të mos shkatërruar memorjen historike shkruar nga heronj dhe njerëz të vyer, me kontribute për vendin dhe botën mbarë.

“Do e themi të vërtetën siç është, pa apologji: Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të drejtat dhe më të veçantat mbi Tokë” – deklaroi Presidenti Trump.

“Duan të na bëjnë të heshtim. Por ne nuk do të heshtim kurrë!

Një prej armëve politike të së majtës është shantazhi dhe gjykimi, ky sulm që po i bëhet lirisë sonë duhet të ndalet dhe do të ndalet!

Në shkollat tona, në Media dhe në kompanitë ku punojmë është injektuar një fashizëm i majtë që kërkon nënshtrim të plotë prej gjithkujt, nëse nuk bindesh dhe nuk nënshtrohesh, përndiqesh dhe ndërshkohesh, por kjo nuk do të ndodh kurrë me ne.

Nuk shantazhohemi nga njerëz të këqinj. Nuk mund të shantazhohemi prej të ligut” – tha Presidenti Trump nën brohoritjet, duartrokitjet dhe entuziazmin e pamasë të mbështetësve të grumbulluar.

“Nuk do ta tradhëtojmë kurrë frymën dhe guximin, si dhe arsyen e 4 korrikut të vitit 1776. Qëndrojmë shtatlart, krenarë dhe i përulemi vetëm Perëndisë së plotfuqisëm, të cilit i besojnë. Këta jemi, këto besojmë” – shtoi ai.

Presidenti tha se do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për krijimin e “Parkut Kombëtar të Heronjve”, një park ku do të ngrihen statuja të të gjithë heronjve dhe personaliteteve më të shquar të SHBA-së.

“Mos bëni gabim, kjo politikë e majtë revolucionare është planifikuar që të rrëzojë në thelb revolucionin e vërtetë amerikan. Duan t’i zhdukin dhe t’i poshtërojnë heronjtë dhe t’u bëjnë larje trush fëmijëve tanë.

Por populli amerikan është potent dhe krenar, ndaj dhe nuk do të lejojë që t’ja rrëmbejnë vendin dhe t’ja zhdukin vlerat!” – tha Presidenti në mbyllje të një fjalimi historik dhe me shumë mesazhe, në një ditë të veçantë për popullin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Donald Trump i filloi festimet e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Amerikës, me një tubim në Monumentin kombëtar Mali Rushmore, ku iu drejtua turmës me fjalët se fëmijët e tyre po mësojnë në shkollë “të urrejnë vendin e tyre”. Presidenti foli para një turme entuziaste duke këmbëngulur se sulmet nga e majta radikale, siç e quajti ai, duhet të ndalen që të mbrohet mënyra amerikane e jetesës.

Presidenti paralajmëroi pjesëmarrësit në tubim se demonstratat kundër padrejtësisë sociale që janë përhapur në të gjithë vendin pas vdekjes së George Floyd gjatë arrestit, kërcënojnë themelet e qeverisjes amerikane. Zoti Trump sulmoi ashpër “turmat e zemëruara”, duke iu referuar protestuesve që janë përpjekur të heqin simbole që shihen prej tyre si raciste si dhe të rrëzojnë monumente që nderojnë figura të Konfederatës.

“Ata duan të rrëzojnë bindjet tona, kulturën dhe identitetin që e kanë bërë Amerikën vendin më dinamik e tolerant në historinë e botës. Bashkëkombasit e mi, amerikanë, ka ardhur koha të ngremë zërin me fuqi dhe të mbrojmë integritetin e atdheut tonë,” tha presidenti.

Presidenti iu kundërvu lëvizjes për drejtësi sociale që është përhapur në vend, duke thënë se po bën të kundërtën dhe do të çonte në “shkatërrimin e drejtësisë dhe shoqërisë”:

“Ideologjia radikale për të sulmuar vendin tonë ka si parullë drejtësinë sociale. Por në realitet, do të shkatërrojë shoqërinë dhe drejtësinë. Ajo do ta kthejë drejtësinë në instrument të përçarjes dhe hakmarrjes. Do ta shndërronte një shoqëri të hapur e gjithëpërfshirëse në një vend të shtypjes, dominimit dhe përjashtimit. Ata duan të na mbyllun gojën, por ne nuk do të heshtim,” tha presidenti.

Presidenti Trump tha gjithashtu se po ndërtohet muri në kufirin jugor amerikan, një ndër premtimet e tij në fushatën presidenciale të 2016.

Presidenti mori pjesë në një tubim me rastin e Ditës së Pavarësisë me pjesëmarrjen e mijëra vetëve të mbledhur pa distancë fizike dhe ku presidenti dhe shumica e pjesëmarrësve nuk mbanin maskë. Gjatë tubimit në një amfiteatër pranë Monumentit Mali Rushmore të Dakotës së Jugut ku janë të skalitura në gurë figurat gigande të katër presidentëve amerikanë, zoti Trump njoftoi se ka dhënë urdhër për krijimin e “Kopshtit Kombëtar të Heronjve Amerikanë” që do të ketë statujat e “amerikanëve më të mëdhenj që kanë jetuar ndonjëherë,” siç e prezantoi presidenti.

Zoti Trump foli për secilin nga presidentët e skalitur në faqen e malit — George Washington, Thomas Jefferson, Abraham Lincoln dhe Theodore Roosevelt. Ai dha detaje nga e kaluara e tyre patriotike, pa përmendur elementë të tjerë të prejardhjes apo qeverisjes së tyre që kritikohen nga një pjesë e shoqërisë amerikane. Po ashtu, Presidenti Trump nuk përmendi se mali ku ndodhet monumenti është tokë e shenjtë për popullatën indigjene amerikane, që e konsideron ngritjen e monumentin përdhosje të kësaj toke të shenjtë.

Pas fjalimit, presidenti dhe pjesëmarrësit ndoqën një shfaqje me fishekzjarre, e para e dhënë në Malin Rushmore në 10 vjetë. Ambjentalistë si dhe politikanë e aktivistë kanë shprehur shqetësimin se fishekzjarret dëmtojnë mjedisin delikat ekologjik të zonës dhe paraqesin rrezik për zjarre në bimësinë malore.

Zyrtarë të shëndetit publik kanë dhënë alarmin se aktiviteti në Dakotën e Jugut do të krijojë një vatër të re të epidemisë me një përhapje të shpejtë infeksionesh.