Dështimi i takimit në Uashington, po lëshon tymin e zi në Tiranë 

Nga Red VARAKU

I gjithë ky tensionim i situatës politike po ndodh për shkak të frikës së kryeministrit shqiptar, se ashtu si Thaçi, edhe ai mund të përfundojë në dyert e drejtësisë, pas dështimit të takimit në Washington për trafikimin e territoreve të Kosovës, në një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë.

Deri tani Edi Rama kishte gëlltitur në heshtje presionin ndërkombëtar me shpresë se marrëveshja me Serbinë do ta rikthente gjithçka në favor të tij.

Por, vendimi fatal i Gjykatës Speciale për Thaçin, abortimi me dhunë i pazarit të ndarjes së territoreve, e ka lënë Edi Ramën jo vetëm pa të ardhme politike, por edhe të pasigurtë për të ardhmen e tij me drejtësinë shqiptare.

Pas kësaj, ai është ndeshur dhe me presion të shtuar të faktorit ndërkombëtar, veçanërisht atij amerikan , çka e ka shtuar dhe më tej paranojën e Edi Ramës.

Kjo e ka detyruar t’i ofrojë një pazar poshtërues për veten Lulzim Bashës , ku i ofronte kryeministrin atij, në këmbim të postit të Presidentit për vete. Por, kjo ofertë u hodh poshtë me neveri nga z. Basha, duke i rikujtuar atij betimin, se nuk do të ketë kurrë më një marrëveshje midis tij dhe Ramës.

Kaq mjaftoi që ai të përpiqej t’i tregonte “dhëmbët” Opozitës së Bashkuar dhe Perëndimit, duke tentuar të tensionojë situatën, fillimisht përmes opozitës së kastruar në parlament, me shpresë se ata do të uleshin në një marrëveshje me të.

Por, pas refuzimit të ftohtë të Perëndimit për tu ulur dhe negociuar me të, fare papritur Edi Rama ashpërsoi gjuhën dhe dje arriti të hedhë një hap shumë të rrezikshëm për stabilitetin e vendit.

Nën paranojën e një sulmi që po vinte nga Perëndimi, Edi Rama arriti të tërheqë të gjithë partinë pas hallit të vet, duke e kthyer sot në një turmë qorre që tenton të dalë kundër Perëndimit.

Sepse, pas shtatë vjetësh pushtet , PS nuk egziston më. Ajo idetifikohet vetëm me Edi Ramën dhe ka përfunduar e gjitha në duart e tij. Të futur në kurthin e tij, dhe sidomos në paranojat e tij, tashmë rilindasit i janë dorëzuar fatit.

Sot nuk ka më asnjë zë kritik me Ramën, duke shënuar një rekord të frikshëm shtatë vite pasi ai ka marrë pushtetin, me shkretëtirën politike që ka krijuar në PS.

Me vendimin e tij për prishjen e koalicioneve, ai nuk po tërheq zvarrë vetëm PS, por po tërheq të gjithë shqiptarët drejt humnerës thjesht për t’i shpëtuar ndëshkimit.

Pra, i gjithë ky tërbim që po tenton të provokojë krizë, është në të vërtetë një krizë mes tij dhe Perëndimit për arsyet e tij personale. Tashmë dështimi i takimit në Uashington, thjesht po lëshon tymin e zi në Tiranë.

Është qesharake se si Rama dhe çeta e tij e dëshpëruar mendon se mund të gjunjëzojë SHBA dhe BE, sepse për t’i ndaluar ata nuk është fare nevoja e SHBA-së dhe BE-së, sepse ata i ndalin vetë shqiptarët, sidomos tani që kanë rënë të gjitha maskat dhe të gjithë e kanë të qartë fytyrën e tij të vërtetë .

Gjithsesi, mirë bën! Udha e mbarë i qoftë. Akti i shkeljes së marrëveshjes së 5 Qeshorit, i cili u përshëndet nga Sekretari Amerikan i Shtetit dhe Parlamenti Europian, është padyshim burg i garantuar për të dhe çetën e tij, poshtërim i sigurtë i PS dhe ndihma më e madhe që ai mund t’i jepte Opozitës.