Deklarata në faqen zyrtare të PE: Të miratohet marrëveshja e 5 qershorit, pa konsensus nuk ka çelje negociatash…

“Nëse Shqipëria dëshiron të fillojë negociatat e pranimit, ajo duhet të përmbushë angazhimet e saj”. Është kjo deklarata e 3 europarlamentarëve. David McAllister, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Isabel Santos, (Socialistët Europianë, Portugali) dhe kryetari i Delegacionit të Parlamentit për Shqipërinë, Manolis Kefalogiannis, (PPE, Greqi). Ata i kërkuan Parlamentit Shqiptar të miratojë sa më shpejt marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore.

Deklarata e 3 europarlamentarëve është publikuar në faqen zyrtare të PE-së.

“Ne presim që shumica parlamentare të miratojë ndryshimet e nevojshme pa dëmtuar konsensusin e arritur midis Qeverisë dhe Opozitës më 5 qershor. Është e rëndësishme të arrihet një marrëveshje, të ruhet dialogu dhe konsensusi me të gjitha partitë politike, në mënyrë që të mund të mblidhet konferenca e parë për negociatat e anëtarësimit, dhe për këtë arsye të vazhdojë procesin e integrimit evropian”, theksojnë 3 europarlamentarët.

Ata shprehen se secili vend është i lirë të vendosë dhe përmirësojë sistemin e tij zgjedhor sipas kontekstit kombëtar dhe konsensusit.

Në vijim ata theksojnë se sidoqoftë, praktikat më të mira ndërkombëtare rekomandojnë që çdo ndryshim në kodin zgjedhor duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duke filluar të paktën një vit para zgjedhjeve të ardhshme të planifikuara.

“Ne besojmë se Shqipëria do t’i respektojë këto rekomandime dhe do të punojë më tej drejt arritjes së rezultateve të qëndrueshme në fushat kryesore të reformës.

Parlamenti Evropian është i përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit evropian dhe është i gatshëm të punojë me Parlamentin shqiptar në lehtësimin e dialogut dhe ndërtimin e konsensusit mbi reformat thelbësore në fushat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe përgjegjshmërisë, që janë të domosdoshme për integrimin e vendit në të ardhmen në BE”, thuhet në deklaratë.

pe sot 17 korrik