SHBA: E mirëpresim marrëveshjen e 5 qershorit, po ju monitorojmë

Ambasadori Philip Reeker, nga zyra për Çështje të Evropës dhe Euro-Azisë në Deartamentin e Shtetit tha të enjten se, Shtetet e Bashkuara mbështesin reformën zgjedhore në Shqipëri si dhe procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Ai i bëri këto komente në një telekonferencë me gazetarë në Bruksel, gjatë së cilës foli për vizitën e sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo në Evropë gjatë kësaj jave, si dhe përparësitë e marrëdhënieve transatlantike.

Më herët parlamenti në Shqipëri miratoi ndryshimet në Kodin zgjedhor sipas marrëveshjes së 5 qershorit të arritur ndërmjet Partisë Socialiste dhe opozitës jashtë parlamentare.

“E mirëpresim marrëveshjen si një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur. Jemi të kënaqur që ambasadorja (Yuri) Kim ishte në gjendje të ndihmojë shqiptarët që të lëvizin në drejtimin e duhur. Shqipëria është aleate e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ka bërë një rrugë të gjatë nëpër vite. E dini se kam qenë i përfshirë në atë pjesë të botës për një kohë të gjatë.

Ne duam të shohim zhvillime pozitivë ne Shqipëri dhe është me rëndësi që po shohim reformën zgjedhore, është me rëndësi që të gjitha palët e spektrit politik marrin pjesë në institucione. Kjo është demokracia dhe në do të vazhdojmë të angazhohemi, të monitorojmë dhe të inkurajojmë të gjitha palët”, tha zoti Reeker.