Bylykbashi: PS refuzoi sërish propozimin e kompromisit, lista 100% të hapura, jo prekje koalicionesh!

Përfaqësuesi i PD, Oerd Bylybashi pak pas mbarimit të mbledhjes së Këshillit Politik deklaroi se opozita nuk ka ndryshuar qëndrimet e saj, ndërsa theksoi se kusht për vijimin e diskutimit janë listat e hapura 100%, duke ruajtur këtë model të koalicioneve parazgjedhore.

Sipas tij, PS ka si qëllim të miratojë ndryshime kushtetuese që prishin marrëveshjen e 5 qershorit.

‘Në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik kërkuam përsëri nga maxhoranca që të shprehet në parim, nëse është dakord që të ecet me propozimin që të hapen 100% listat e kandidatëve, duke ruajtur të paprekur koalicionet zgjedhore siç janë sot dhe formulën e shpërndarjes së mandatave. Përsëri u ndeshëm me refuzimin e Partisë Socialiste, refuzim për të pranuar këtë propozim kompromisi të Opozitës së Bashkuar.

Partia Socialiste nuk ka ndryshuar asnjë centimetër pozicionin e saj, të veprimit të njëanshëm dhe ndryshimit të njëanshëm të Kushtetutës. E bëmë të qartë siç e kemi bërë të qartë më përpara që janë veprime që do të prishin Marrëveshjen e 5 Qershorit.

Ne propozuam që të hiqet dorë nga ndryshime të njëanshme, të hartohet një amendament i përbashkët në lidhje me hapjen e listave dhe pa prekur asgjë tjetër në Kushtetutë dhe këtë ta bëjmë me ekspertizën ndërkombëtare.

Për të garantuar që procesi do të mbetet i paprekur dhe përtej lojrave diabolike të Edi Ramës dhe të maxhorancës, ndryshimet kushtetuese dhe ato ligjore në këtë Kod Zgjedhor të jenë bashkë dhe t’i çohen parlamentit në mënyrë që të jetë çdo gjë e qartë.

Kemi një model që është tashmë prej 17 vitesh i konsoliduar, marrë nga Italia dhe i përdorur dhe nga shtete të tjera, është miratuar në vitin 2003, nuk ka prodhuar asnjë lloj krize dhe problemi në zgjedhje modeli i koalicioneve që përdor Shqipëria.  

Nuk ka asnjë rekomandim të OSBE-ODHIR apo të Komisionit të Venecias për ndonjë problematikë dhe që duhet ndryshuar kjo. Është vetëm një lojë e Edi Ramës për të ndryshuar rregullat para zgjedhjeve për t’i hequr mundësinë shqiptarëve që përveçse të përcaktojnë se kush është fuqia me vota e çdo kandidati, gjithashtu të përcaktojnë në mënyrë transparente me votën e tyre, kush është fuqia elektorale e çdo partie.

Edi Rama përpiqet të bëjë këtë lloj konfuzioni për të arritur qëllimet e tij nga frika që ka përballë koalicionit të opozitës së bashkuar.

E përsërisim, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë diskutimin me transparencë dhe konsensus për të bërë së bashku amendime që do të hapin listat e kandidatëve 100% pa prekur asgjë tjetër që ndryshon rregullat themelore të procesit zgjedhor’, tha Oerd Bylykbashi për mediat.