Bilanci tragjik i koronavirusit të shpërndarë nga QSUT, mbi 28 viktima

90 raste të reja janë konfirmuar me koronavirus në 24 orët e fundit, duke shënuar kështu ditën me numrin më të lartë të rasteve të reja në vend që nga fillimi i epidemisë.

‘Në Laboratorin e Virologjisë janë kryer 362 testime dhe janë konfirmuar pozitivë 90 raste. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 35 raste në Tiranë, 12 në Krujë, 10 në Kurbin, 8 raste në Vlorë, 6 raste në Shkodër, 4 në Përmet, 3 në Pogradec, nga dy raste përkatësisht në Kukës, Lezhë, Kavajë, Lushnjë, dhe nga një rast në Kolonjë, Vau i Dejes, Kamëz dhe Durrës”.

Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e virusit, duke e çuar numrin në total të viktimave në 72.

“Fatkeqësisht, një 57 vjeçar nga Shkodra, një 65 vjeçar nga Tirana dhe një 76 vjeçar nga Durrësi, me disa sëmundje bashkëshoqëruese kanë humbur jetën në spitalin infektiv, pavaresisht trajtimit në terapi intensive dhe përpjekjeve të stafit mjekësor.”.

Vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 80 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 1 janë të intubuar dhe gjendje të rëndë.

“Po merr trajtim spitalor dhe një femijë dy muajsh i prekur me Covid-19, nën kujdesin e stafit të Pediatrisë në gjendje të stabilizuar bashkë me nënën e tij”.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 33 qytetarë, duke e çuar në 1592 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Në vendin tonë aktualisht janë 1088 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.