Basha: Ndryshimi që duan shqiptarët është i pandalshëm dhe rotacioni politik i pashmangshëm!

Nga Lulzim BASHA

Sot u takova me Presidentin e Republikës Ilir Meta, me të cilin ndava së pari shqetësimin për situatën jashtë kontrollit të pandemisë shoqëruar me shifrat e larta të ditëve të fundit të qytetarëve të prekur me Covid-19. Është e qartë se dështimi më i madh i qeverisë është kthimi i spitaleve në qëndra infeksioni, ndërkohë që vazhdon përpjekja e përgjegjësve të kësaj situate të rënduar, për t’u fshehur dhe për t’ia lënë këtë faturë qytetarëve.

Për shkak të keqmenaxhimit të pandemisë, vendi vazhdon të mbetet në listën e kuqe të Bashkimit Europian, duke i izoluar shqiptarët.

Kriza e thellë ekonomike, që po kap dimensione të panjohura për Shqipërinë në këto 23 vitet e fundit, ishte gjithashtu në qëndër të bisedës së sotme me Kreun e Shtetit.

Kriza e menaxhimit të pandemisë dhe ajo ekonomike, i ka rrënuar shqiptarët dhe zbrazur xhepat e tyre. Pikërisht në këtë situatë, Edi Rama po tenton të prishë një marrëveshje të negociuar me ndërmjetësimin e SHBA, BE dhe Britanisë Madhe, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve me një klimë sadopak normale.

Pasojat e një hapi të tillë, do të jenë shumë të rënda për stabilitetin dhe integrimin europian të vendit. Bundestagu gjerman, që është autoriteti, i cili hap ose nuk hap dritën jeshile për negociatat, u shpreh fare qartë dje. Po kështu, është shprehur edhe Komisioneri për Zgjerimin. Prej frikës së Edi Ramës nga zgjedhjet dhe humbja e pushtetit, Shqipëria po rrezikon një izolim të dytë.

Opozita e Bashkuar do të bëjë gjithçka që faturën, e cila do të jetë shumë e rëndë, të mos e paguajë Shqipëria dhe shqiptarët, por ta paguajnë ata që janë përgjegjësit e kësaj situate. Ndryshimi që duan shqiptarët është i pandalshëm dhe rotacioni politik i pashmangshëm.

I rikonfirmova Kreut të Shtetit se Opozita e Bashkuar mbështet plotësisht qëndrimet e qarta të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrel, Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe Bundestagut dhe i qëndron plotësisht kodifikimit pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime të njëanshme kushtetuese, të Dakordësisë së 5 Qershorit.