Basha me Kryetarin e komunës së Mitrovicës: Këto do të jenë prioritet e mia si Kryeministër për Kosovën

Kryetari i PD, Lulzim Basha u takua me Kryetarin e komunës së Mitrovicës, z. Agim Bahtiri, pas takimit që zhvilloi me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin.

Në deklaratën që dha përpara mediave së bashku me z. Bahtiri, Basha vuri në dukje faktin “se sot mund ta them me gojën plot se kryeqyteti i kombit është Mitrovica” dhe shprehu krenarinë që “PD, unë personalisht, i jemi bashkangjitur qëndrimit të drejtë dhe konseguent kundër copëtimit të Kosovës dhe ruajtjes së tërësisë territorial si parakusht i vazhdimësisë së sovranitetit.” Ai theksoi se “Mitrovica meriton, mund të presë dhe do të ketë një vëmendje speciale nga qeveria e ardhshme në Tiranë”.

I pyetur në veçanti se çfarë do të bënte ai për Kosovën si Kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë, Basha renditi këto vendime si të parat:

“Gjëja e parë do të ishte heqja e traut të Rrugës së Kombit. Unë kam qënë promotor për ndërtimin e tij dhe shoh me trishtim se e vetmi kontribut është shtrenjtimi i lëvizjes dhe ndaj një nga vendimet më të para është heqja e traut; reduktimi i çmimit të karburantit, që e ka bërë thuajse dyfish më të shtrenjtë se karburantin në Kosovë.

Ne kemi një plan të detajuar të bashkëpunimit me Kosovën për portet; bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe padyshim një bashkëpunim diplomatik, që do të kthehet jo si protagonizëm, jo si patriarkalizëm, por si detyrë morale dhe kushtetuese në dispozicion të qytetarëve të Kosovës që e kanë fuqinë për të marrë vendimet e duhura dhe detyra e Tiranës është vetëm t’i mbështesë. Mitrovica meriton, mund të presë dhe do të ketë një vëmendje speciale nga qeveria e ardhshme në Tiranë”, nënvizoi ai.

Nga fjala e z. Basha

Është gjithmonë kënaqësi të kthehem në Mitrovicë, në qytetin ku ju më keni shpallur “Qytetar nderi” dhe një nga shtëpitë e mia të zemrës së bashku me kryeqytetin e Kosovës.  Por sot mund ta them me gojën plot se kryeqyteti i kombit është Mitrovica. Dua t’ju falenderoj në radhë të parë për dimensionin kombëtar të qëndresës suaj në emër të banorëve dhe qytetarëve të Mitrovicës kundër copëtimit të Kosovës, plan që do niste me copëtimin e qytetit dhe komunës së Mitrovicës.

Qëndrimi juaj i prerë dhe I qartë në gjithë këto vite, në emër të qytetarëve që ju kanë besuar me të drejtë administrimin e qytetit dhe komunës së tyre ka qenë një vlerë e jashtëzakonshme për të përcjellë vullnetin e vërtetë të njerëzve si një faktor i pazëvendësueshëm në ndërmarrjet e këtij lloji dhe si një qëndresë shembullore për të gjithë ata që marrin përsipër të përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve të tyre.

Në këtë kuadër jam krenar që PD, unë personalisht, jemi bashkangjitur qëndrimit të drejtë dhe konseguent kundër copëtimit të Kosovës dhe ruajtjes së tërësisë territorial si parakusht i vazhdimësisë së sovranitetit, investime të lara me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të Kosovës, investime europiane dhe amerikane, investime euroatlantike.

Së dyti, për shërbimin e devotshëm kur keni bërë të mundur përmes politikave tuaja të zgjuara një zhvillim sa më të mirë të qytetit dhe ku e di që në përballjen aktuale me COVID dhe krizën ekonomike, qytetarët e Mitrovicës kanë tej ju një nga drejtuesit më të përkushtuar.

Së treti ju shpreh mirënjohjen për aktin tuaj largpamës që kam pasur nderin ta mbështes si kryetar i bashkisë së Tiranës në vitin 2015, të rikthimit të Isa Boletinit në shtëpinë e tij në Boletin, si një akt që vërteton jo vetëm shpirtin patriotik dhe vullnetin tuaj si tribun, por edhe përkushtimin ndaj tij, kompromisin kombëtar që çoi në pavarësimin e Kosovës, pacenueshmërinë e territorit dhe respekt të të drejtave të lirive të qytetarëve”.