Basha-Limaj: Si kurrë më parë, kemi nevojë për bashkërendim të aktiviteteve

KOMUNIKIMI I PËRBASHKËT I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA ME KRYETARIN E PARTISË NISMA PËR KOSOVËN, FATMIR LIMAJ.

· Të gjithë faktorët në Kosovë vlerësojnë kontributin e Bashës për Kosovën. Fatmir Limaj: Basha, personalitetet që na ka ndihmuar dhe këshilluar që prej përfundimit të luftës për lirinë e Kosovës dhe deri tani.

· Basha-Limaj: Si kurrë më parë, kemi nevojë për bashkërendim të aktiviteteve. Kosova në moment delikat, duhet unitet i faktorit politik për interesin e Kosovës.

· Basha: PD dhe unë personalisht qëndrojmë në mbështetje të vendimeve të institucioneve të Kosovës në përballjen me sfidat aktuale. Jam i sigurtë që do të dinë t’i përballin me mençuri, maturi dhe vendosmëri.

DEKLARATA E KRYETARIT TË PARTISË NISMA PËR KOSOVËN, FATMIR LIMAJ

Sot pata nderin edhe kënaqësinë për të patur në një vizitë Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, liderin e opozitës shqiptare, zotin Basha me bashkëpunëtorë. Gjetëm rastin të shkëmbejmë mendime për zhvillimet në Tiranë edhe Prishtinë. Siç e dini, zoti Basha është një prej personaliteteve që e njeh jashtëzakonisht mirë realitetin e Kosovës dhe që ka përcjellë në vazhdimësi të gjitha zhvillimet në vendin tonë, na ka ndihmuar, na ka këshilluar, në raste të caktuara, gjatë gjithë kohës, nga procesi të përfundimit të luftës për lirinë e Kosovës dhe deri më tani. Ishte një qëndrim i përbashkët që edhe në Prishtinë, por besoj edhe në Tiranë, si kurrë më parë, kemi nevojë për bashkërendim të aktiviteteve.

Unë e njoftova zotin Basha se Kosova sot është në një moment delikat, të rëndësishëm ku duhet një bashkim dhe një unitet i faktorit politik të Kosovë, një rishikim i mirë i axhendës sonë shtetërore. Forcat politike ne Kosovë duhet t’i ndajnë edhe t’i përcaktojnë qartë pikat të cilat na bashkojnë në interesin shtetëror dhe nuk duhet që çështje që janë me interes për shtetin e Kosovës të përzihen me politika ditore.

Gjithmonë ka kohë për përplasje ose për konkurencë të politikës së brendshme, ndërsa pozicioni i Kosovës, temat që janë më interes nacional, ato duhet të jenë prioritet dhe, më shumë se kurrë, duhet një unitet i forcave politike në Kosovë, ato në pozitë dhe opozitë.

Biseduam për zhvillimet e fundit, me të cilat po ballafaqohet Kosova. Biseduam gjithashtu për dialogun Kosovë-Serbi. Biseduam edhe për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri dhe besoj ishte mendim i përbashkët që më shumë se kurrë të bëhet identifikimi i interesave të përbashkëta, për të cilat duhet të angazhohemi së bashku në arenën nderkombëtare, por, po ashtu, edhe dy shtetet veç e veç. Secili nga ne të kontribuojmë në unitet në vendet tona, siç ka qenë traditë deri më tani.

Zoti Basha faleminderit shumë!

DEKLARATA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA.

Gjithmonë kënaqësi të kem mundësinë të takohem me Fatmir Limaj, një politikan i sprovuar dhe një nga njerëzit që ka sakrifikuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës e, më pas, e ka vazhduar sakrificën e tij personale duke qenë i pari në kalvarin e atyre, që lirinë dhe pavarësinë e Kosovës u është dashur ta mbrojnë edhe pas përfundimit të luftës, edhe pas shpalljes së pavarësisë.

Vizita ime te kryetari i Nismës nuk është thjesht dhe vetëm në kuadrin e takimeve me kryetarët e partive politike në Kosovë, por është dhe rikthim tek një mik, tek i cili, shpeshherë, gjej jo vetëm këshillën, por dhe interpretim të qartë të realitetit politik në Kosovë, por dhe të zhvillimeve politike në hapësirën mbarëshqiptare, por dhe frymëzimin për të cilin të gjithë kemi nevojë dhe i cili buron nga instikti i brenshëm i dikujt që, gjithmonë interesat e vendit interesat e popullit, interesat kombëtarë i ka vënë mbi interesat personale.

Ndaj dua ta falenderoj për bisedën e sotme dhe të rikonfirmoj qendrimin dhe gatishmërinë e Partisë Demokratike dhe timin personal për të qëndruar plotësisht në dispozicion dhe në mbështetje të vendimeve të institucioneve, por dhe të forcave politike të Kosovës në përballjen me sfidat aktuale, të cilat jam i sigurt që, mbështetur në përvojën e akumuluar ndër vite, do të dinë t’i përballin me mençuri, me maturi dhe me vendosmëri. Me këtë dua të them se do të kenë sot dhe nesër përkrahjen time, të Partisë Demokratike dhe të gjithë autoriteteve shtetërore të Shqipërisë në të ardhmen. Ju faleminderit!