Bardhi: Topalli është anëtare e Këshillit Kombëtar të PD. Është e drejta e saj nëse do të marrë pjesë në organet e partisë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ftuar në Çim Peka Live,
deklaroi se PD ka lindur dhe do jetë parti e mendimit ndryshe.

Por i pyetur për rikthimin e atyre që vendosën të mos ndjekin rrugën e bojkotit dhe djegies së mandateve, Bardhi tha: “Të thyesh vendimet e organeve të partisë, sigurisht që do kesh penalitete sipas statusit të PD. Kur shumica merr vendim të caktuar, do të duhet t’i nënshtrohen mendimit të shumicës. Ndryshe do ishim në anarki”.

Sipas tij, djegia e mandateve ishte vendimi i duhur.

I pyetur për rikthimin e Jozefina Topallit në PD, Bardhi tha se, zonja Topalli është anëtare e Këshillit Kombëtar të PD.

“Zonja Topalli është anëtare e Këshillit Kombëtar të PD. Është e drejta e saj nëse do të marrë pjesë në organet e partisë. Nuk ka si rikthehet pasi është pjesë e organit më të lartë vendimmarrës të partisë”, u shpreh ai.

Bardhi tha se ai nuk ka kontaktuar me zonjën Topalli.

Mund të ketë rikthime në PD, por që nuk janë përdorur nga Rama

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, tha se PD ka nisur një proces statusor, teksa kjo parti ka qenë e hapur.

Ai tha se mund të ketë rikthime në PD, por ata nuk duhet të kenë qenë në opozitë dhe të kenë sulmuar PD-në, duke u përdorur nga Edi Rama.

“Ajo që është komentuar si hapje, është një proces statusor për përzgjedhjen e kandidatëve. Kjo është konsideruar nga media si hapje, kur PD ka qenë gjithmonë e hapur ndaj çdo zëri kritik ndaj qeverisë dhe çdo individi që do të japë kontribut në PD. Ne i kemi bërë thirrje çdokujt që kërkon të japë kontribut, që të afrohet.

Sigurisht nga ky proces mund të dalin figura që nuk kanë qenë në vijë të parë të angazhimit në PD. Mund të ketë rikthim të figurave me kontribut në PD, që kanë dhënë kontribut edhe gjatë kësaj kohe në opozitë, që nuk e ka sulmuar PD-në, duke qenë në opozitë të qartë me Edi Ramën.

Çdo zë që do të bashkohet në betejë kundër regjimit që ka ndërtuar Edi Rama, është i mirëpritur.
Ata që kanë qëndruar fort në një oponencë dhe nuk kanë folur sa herë ka pasur nevojë Edi Rama kundër PD, janë të mirëpritur.

Kush është përdorur nga Edi Rama, le të vazhdoja aleancën me Ramën dhe të zhytet bashkë me të”, tha Bardhi.

auto ubs1594321171