Barcelona ideon ish-trajnerin e Francës si zëvendësues të Setien

Ish-trajneri i Francës, Laurent Blanc, është njëri ndër opsionet e Barcelonës për pozitën e trajnerit në Camp Nou, për ta zëvendësuar Quique Setien në fund të këtij sezoni.

E ardhmja e trajnerit spanjoll në Barcelonë është vënë në dyshim pasi klubi katalonas e humbi titullin e La Ligës. Nëse klubi dështon edhe në Ligën e Kampionëve, atëherë Barcelona pritet ta ndërrojë trajnerin.

Sipas gazetës prestigjioze franceze, L’Equipe, Blanc është njëri ndër trajnerët e identifikuar nga Barcelona si trajner potencial i ardhshëm i klubit, pasi që edhe drejtori sportiv, Eric Abidal, e përkrah këtë opsion,

Gazeta franceze gjithashtu shton se edhe Blanc është i interesuar ta marrë rolin e trajnerit në Camp Nou, pasi që ka qenë i papunë që nga viti 2016, kur e la rolin e trajnerit të Paris Saint-Germainit.

Abidal e njeh Blanc mirë pasi që kishte punuar me të mes viteve 2010 dhe 2012 me ekipin kombëtar të Francës dhe është i familjarizuar me stilin e tij të lojës që e ka në fokus posedimin e topit dhe që i përshtatet Barcelonës.

Që kur është larguar nga PSG-ja, Blanc raportohet t’i ketë pasur disa oferta, përfshirë këtu nga Sevilla dhe Galatasaray në vitin 2017, të cilat i kishte refuzuar.

Megjithatë, tani 54-vjeçari thuhet se është i gatshëm të kthehet në futboll. Ai raportohet se dëshiron të nënshkruajë kontratë njëvjeçare dhe se dëshiron ta sjellë me vete ndihmësin e tij, Frank Passin.