Arkës së shtetit i mungojnë 76 milionë euro në 6 muaj

Arkëtimet buxhetore nga të ardhurat doganore u përmirësuan në muajin qershor, duke ngushtuar mosrealizimin që u shfaq në 6-mujorin e parë 2020 për shkak të pandemisë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Doganat, të ardhurat gjatë janar-qershor 2020 arritën në 67,9 miliardë lekë, me një mosrealizim 12,3% (rreth 76 mln euro) në raport me faktin e së njëjtës periudhë të një viti më parë.
Ndërsa për muajin qershor, arkëtimet nga doganat arritën në 13,2 miliardë lekë, me një rënie 4.6% në raport me qershorin e vitit të kaluar. Importet e mallrave të akcizave po kthehen në normalitet, duke treguar se ecuria e konsumit po kthehet ngadalë.

Sipas zërave, shihet se mosrealizimi më i madh në vlerë për 6-mujorin është në të ardhurat nga TVSH-së, ku janë grumbulluar 6,7 miliardë lekë më pak se 6-mujori i parë i vitit 2019, me rënie vjetore 13.2%. Për muajin qershor 2020, të ardhurat doganore nga TVSH ishin 8,5 miliardë lekë, ose 3.2% më të ulëta se një vit më parë.
Të ardhurat nga akciza arritën nivelin 19,9 miliardë lekë në 6-mujorin e këtij viti, me një rënie 10% në raport me një vit më parë, ose 2,3 miliardë lekë më pak. Në qershor, të ardhurat nga ky zë arritën në 3,9 miliardë lekë, me rënie vjetore me 7.7%.

Të ardhurat nga renta minerare dhe taksa doganore shënuan rënie vjetore përkatësisht me 21 dhe 11%, por ato zënë një peshë të ulët në totalin e të ardhurave doganore.

Të ardhurat doganore u përballën me vështirësi gjatë periudhës së karantinës. Në muajin mars, të ardhurat doganore shënuan rënien vjetore me 17.5%, në prill me 35% dhe në maj me 21.7%. Në qershor, shihet se ka një përmirësim në arkëtime, por diferenca me faktin e vitit 2019 ishte rreth 5 milionë euro.
Nëpërmjet aktit të tretë normativ, Qeveria shkurtoi planin e të ardhurave me rreth 62,4 miliardë lekë, ose me 12,2% në raport me planifikimin fillestar.

Efektet në ekonomi nga Pandemia e Covid-19 do të jenë një nga faktorët kryesorë ndikues në mungesën e performancës së të ardhurave, për shkak të ndikimit direkt në uljen e qarkullimit dhe të konsumit, duke reduktuar të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin, Tatimin mbi të Ardhurat Personale, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Taksat, Kontributet etj.

Çmimi i mineraleve, kryesisht naftës, por edhe ulja e kursit të këmbimit të monedhave të huaja kundrejt lekut, kanë ndikuar dhe do të ndikojnë në reduktimin e bazës së llogaritjes së detyrimeve tatimore për mallrat e importit.