Ambasadorja amerikane mbi një orë takim me Metën

Për më shumë se një orë, ambasadorja amerikane Yuri Kim, zhvilloi sot një takim me Presidentin e Republikës Ilir Meta në zyrën e këtij të fundit. Nuk ka ende detaje rreth bisedës së zhvilluar mes tyre, por zhvillimet e fundit politike sa i përket ndryshimeve kushtetuese mendohet të kenë qenë në fokus.

Takimi mes zyrtares së SHBA dhe kreut të shtetit vjen pak orë para mbledhjes së këshillit politik të thirrur nga maxhoranca, pas firmosjes së marrëveshjes me opozitën parlamentare.

Në marrëveshjen e firmosur mbrëmjes e së martës mes maxhorancës dhe opozitës parlamentare, u ra dakord që marrëveshja e 5 qershorit për reformën zgjedhore të votohet në seancën plenare më 23 korrik, ndërsa një javë më pas ndryshimet kushtetuese.

Një ditë më parë, ambasadorja Kim zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama, ku në fokus të bisedës ishte pikërisht marrëveshja e 5 qershorit e firmosur mes palevë.

Kujtojmë se presidenti Ilir Meta, ka qenë mjaft kritik në qëdnrimet e tij sa i takon ndryshimeve kushtetuese.Në daljet e tij publike lidhur me ndryshimet kushtetuese, Presidenti Meta ka kërkuar braktisjen e menjëhershme të çdo përpjekjeje që minon këtë procesin e integrimit dhe që do të prapësonte për herë të parë në historinë e Shqipërisë një marrëveshje të dakordësuar me ndërmjetësimin më të lartë ndërkombëtar.