A do të ndërpritet sërish transporti publik të hënën?! Zbardhet vendimi i fundit

Ishte lajmëruar që ditën e hënë do të ndërpritej sërish shërbimi i transportit publik në Tiranë ndërsa  burime për Faxweb.al bëjnë me dije se është marrë vendimi për të vijuar shërbimin ndaj qytetarëve.

Mësohet se ky shërbim do të vijojë për të paktën edhe javën e ardhshme dhe në varësi të situatës do të vendoset edhe për ditët në vijim.

Pas 4 muajsh, ka rinisur vetëm 5 ditë më parë punën transporti publik. Ndërkohë gjatë këtyre ditëve janë konstatuar jo pak probleme që kanë të bëjnë me mos respektimin e protokollit të sigurisë, ku përfshihet distanca dhe mjetet mbrojtëse si maskat apo dorezat nga ana e qytetarëve.

Gjithashtu nga shërbimet e transportit është konstatuar jo pak herë edhe lejimi i qarkullimit me më shumë se sa është normale nga rregullat mbi parandalimin e Covid-19 të pasagjerëve mbi bordet e autobusëve.

Nga ana tjetër, shoqatat e transportit kanë pasur mosmarrëveshje me Bashkinë e Tiranës sa i përket çmimit të karburantit dhe akcizës mbi të por edhe mos ulja e taksave që sipas palëve të interesit po i çon kompanitë drejt falimentit.

Pak ditë më parë, Bashkia e Tiranës dha urdhër të prerë ndaj kompanive që operojnë mbi transportin publik në kryeqytet që të nisin punën, në të kundërt do përballeshin me ndëshkime. Ndërsa vendimi për rinisjen e punës erdhi pas një marrëveshje të pjesshme mes Bashkisë dhe Shoqatës së transportit.