5 zyrtarë të infektuar me Covid-19, izolohet Bashkia e Kavajës

6 të infektuar me Covid-19 janë regjistruar në qytetin e Kavajës, ndër të cilët raportohet se pesë janë punonjës të bashkisë. 5 punonjësit e infektuar ishin në zyrat e shpërndarjes së ndihmës ekonomike. Bashkia është mbyllur dhe të gjithë punonjësit janë karantinuar, raporton “Fax Web”.

Ambientet e bashkisë po dezinfektohen ndërsa po kryhen testimet e punonjësve. Ndërkohë i infektuari i 6 është dërguar në spitalin e Infektiv në gjendje të rëndë.

Në të gjithë vendin në 24 orët e fundit janë zbuluar 67 raste të reja me Covid, ku numrin më të madh të të prekurve e ka Tirana. Ka një rënie të lehtë të rasteve të reja, nga 90 të tilla që u regjistruan gjatë ditës së djeshme.

2 persona kanë ndërruar jetë në spitalin Infektiv, në 24 orët e fundit në vendin tonë, duke e çuar numrin e víktimave që prej fillimit të pandemisë në 74. Bëhet fjalë për një 67 vjeçare dhe një 73 vjeçare, të dyja nga Tirana me disa sëmundje bashkëshoqëruese, kanë humbur jetën në spitalin infektiv, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor.