Poshtërimi i Tao-Ramës, nga deklaratat; do ta shkarkojmë Metën, tek votimi kundër shkarkimit

Poshtërimi i Tao-Ramës, nga deklaratat se do ta shkarkojmë Metën tek votimi kundër shkarkimit

Kanë votuar për të mos e shkarkuar nga detyra Presidentin Meta, por po këta ishin që para pak muajsh deklaronin se kishin mbëhstetjen e popullit dhe do ta shkarkonin Metën si President. Menjëherë u ngrit komisioni hetimor për të gjetur shkeljet e rënda nga Meta që ta shkarkonin. Vendimi I “shkarkimit” erdhi sot, ku me votat e PS, Meta u “rizgjodh” President.

Rama një vit më parë tha: “Ne jemi Republikë Parlamentare, jo Presidenciale. Ndaj asgjë nuk na ndal të vijojmë përpara me 30 qershorin. Të enjten do të bëhet debat shumë i gjatë parlamentar. Të shpalosim të gjitha argumentet kundër këtij vendimi të Presidentit. E enjtja do të finalizohet me rezolutë për shkarkimin e Presidentit”.

Ndërsa Balla, një vit më parë tha: Do t’i shkojnë deri në fund luftës për të shkarkuar presidentin e republikës Ilir Meta. Kjo është përgjigja e Taulant Ballës në studion e “Neës24”.

“Kjo është njëlloj që të pyesësh a do e respektoni ligjin apo jo dhe qasja jonë ka qenë gjithnjë respektimi i ligjit dhe qasja jonë në PS është të gjithë të barabartë para ligjit.

Në rastin e zotit Ilir Meta nuk ka asnjë dyshim që presidenti aktual i republikës në marrëdhënie me kuvendin, kujtoj këtu dekretet e dy ministrave, kujtoj ushtrimin e padrejtë të disa dekreteve apo zhdekretimin që është një term i ri juridik i instaluar nga Ilir Meta, janë sot subjekt i një hetimi parlamentar.

Komisioni nuk duhet të ndikohet nga vendimet politike por duhet të bëjë një hetim juridik.
Unë jam i bindur që Ilir Meta jo vetëm ka shkelur kushtetutën por ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë institucion si president.”, komentoi Balla.

Me 78 pro Kuvendi ka votuar kundër shkarkimit të presidentit Ilir Meta, duke iu referuar dhe raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor ndaj tij.

Ndërkohë që 17 deputetë kanë votuar kundër gjetjeve përfundimtare të Komisionit Hetior dhe 8 abstenim.

Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit Meta ka nisur punën rreth një vit më parë, për te hetuar dekretin e tij për shtyrjen e zgjedhjeve të 30 Qershorit, ndërsa rrugës e zgjeroi fushën e tij të hetimit dhe me emërimet e presidentit në Gjykatën Kushtetuese.

Në përfundim socialistët thanë se shkeljet e Metës nuk kanë qenë aq të rënda sa për të vendosur për shkarkimin e tij, duke iu referuar dhe opinionit të dhënë nga Komisioni i Venecias.

Vetë kryeministri Rama tha sot në Kuvend, se uji i Venecias nuk e lan dot atë që ka bërë Meta, e megjithatë mazhoranca do të mbështetej te opinioni i tyre. Sipas Ramës, Meta është presidenti me i njëanshëm që vendi ka pasur ndonjëherë dhe institucioni që ai drejton është shndërruar në seli të opozitës.

“Venecia nënvizoi shumë shkelje të presidentit, dhe për këtë ka rekomanduar masa dhe jo shkarkim të presidentit”, tha Rama në Kuvend. Rama kujtoi dhe deklaratën e tij, në zgjedhjen e Metës, kur tha se ai ishte presidenti më i mirë që do të kishte vendi.

“‘Ilir Meta u bë president me votat e tij dhe tonat, pasi ne nuk kishim votat për ta zgjedhur vetë presidentin. Dhe prandaj unë kam thënë atë kohë që ai ishte presidenti më i mirë, që mund të zgjidhej në një situatë të tillë, kush e dinte që ai president do të bëhej aq i mirë për opozitën që nuk ishte këtu në atë Kuvend, dhe aq i keq për Kushtetutën.

Përpara Ilir Metës Bujar Nishani ngjan me George Washingtonin, po ta ndajmë Bujar Nishanin nga statuset dhe intervistat, dhe Bujar Nishanin e firmave, i pari ishte një sakëlldi, ndërsa Nishani i procedurave Kushtetuese, ishte absolutisht në rregull me Kushtutën. Të njëjtën gjë mund të themi për presidentet e tjerë, por jo për Ilir Metën, që e ka kthyer presidencën në një vatër të ndezjes së zjarreve, duke e përdorur Kushtetutën si letër”, u shpreh Rama.

“Shpresoj që të jetë presidenti i fundit i një republike parlamentare që del në Miting. Ne asnjëherë nuk kemi pretenduar se jemi të përsosur, dhe asnjëherë gabimet tona nuk i kemi mbuluar me vullnetin e shumicës, dhe asnjëherë nuk iu kemi ikur atyre me idenë që do të harrohej. Gjeni nje tjetër shumicë qeverisëse që kërkon ndjesë publike, kur diçka e bërë rezulton që të jetë e gabuar. Jemi të vetëdijshëm që përderisa punojmë edhe gabojmë”, tha më tej Rama.