Regjisori i njohur i drejtohet Ramës: Mos më pengo të jap një shfaqje te Teatri…

Regjisori i njohur, Edmond Budina i është drejtuar me një letër të hapur kryeministrit Edi Rama.

Budina shprehet se kërkon hapësirën publike te Teatri Kombëtar për të bërë art.

“Dua të bëj shfaqje në truallin e teatrit, je i ftuar”, tha ai drejtuar kryeministrit, të cilin e konsideron pronar të hapësirave publike.

“Ky është vendi i shenjtë ku është luajtur teatër profesional gjithë kohën. Këtu duhet të jepet një shfaqje teatri për të treguar se ne nuk jemi për dhunë , por për art.

Është një pjesë që quhet “Profeti i Kokoshkave”. Ideja më ka lindur me pandeminë që ndodhi. I izoluar në shtëpi me erdhi ideja se si të realizojmë teatrin e dhomës, duke e krijuar në shtëpinë time. Ky teatër ka nevojë për një komunikim të afërt me spektatorin” u shpreh ai.

“Ju kërkoj të më lejoni të jap një shfaqje në truallin e teatrit kombëtar. Ju siguroj që nuk do të ketë eksploziv, molotov, armë, por vetëm art. Ju siguroj që shfaqja do të jetë konform rregullave të ministrisë. Duke marrë në konsideratë distancimin fizik të artdashësve. Ju kërkoj atë hapësirë të lirë publike që të bëhet art.

Jam i gatshëm t’u vë në dispozicion tekstin, ju ftoj të merrni edhe pjesë në shfaqje si spektaktor. Si pronar i këtij vendi në momentin që do të na lejojë do të zhvillojmë. Është një ide që më ka lindur me këtë pandeminë që ndodhi, i izoluar në shtëpi. E kam krijuar në shtëpi. Nëse refuzohem do të kem një hap tjetër, e kam menduar”, tha ai.

I pyetur nëse ka marrë një ftesë nga PD-ja për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ai tha: “Nuk kam pasur, por nuk jam i predispozuar që të merren me politikë, vetëm me art”,- tha ai. Godina e Teatrit Kombëtar u shemb në 17 maj me tension dhe përplasje pas rezistencës së një grupi artistësh të mbështetur nga opozita.