Gazeta “Komiteti” me lajme të reja!

PhD. Ilir PECNIKAJ 

Më në fund, në emër të të paemrave, të emëruar si “Komitet Teknik i Ekspertëve” erdhi dhe një vendim tjetër i qeverisë, “PËR KRYERJEN E TESTIMIT MOLEKULAR NË LABORATORËT JOPUBLIK”, dhe ky si të gjithë vendimet e tjera lidhur me COVID-19, ka ardhur me shumë vonesë dhe me një dinakëri, siç vetëm këta dinë ta bëjnë, duke u menduar si e si të fusim duart nëpër xhepat e shqiptarëvë. Këto vendime dhe dekrete më kujtuan atë shprehjen “GAZETA TOMORI ME LAJME TE REJA”

Vazhdojnë me shkelje të ligjit sikur të ishin tapet në sallonin e komshiut:

“Njohja e laboratorëve jopublik për këto testime, do të kryhet nga MSHMS, sipas procedurës së miratuar, kushteve dhe standardeve që garantojnë sigurinë dhe cilësinë e laboratorit, testeve dhe metodës së përdorur. Sipas vendimit, testet do të regjistrohen pranë Agjensisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, sipas legjislacionit në fuqi për pajisjet mjekësore dhe do të validohen nga Instituti i Shëndetit Publik.” https://new.shendetesia.gov.al/komiteti-teknik-i-eksperteve-miraton-vendimin-per-lejimin-e-testimeve-molekulare-ne-laboratoret-jopublik-per-arsye-administrative/

Vetëm në këtë paragraf ka 3 shkelje:

  1. Nuk është MSHMS që bën njohjen e laboratoreve publike dhe jopublike.
  2. Pranë Agjensisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore bëhet vetëm regjistrimi për të vërtetuar se janë paisje mjeksore dhe që janë të regjistruara në BE, në të kundërt nuk mund ta regjistrojnë. Pra kjo agjensi nuk bën “CERTEFIKIM”
  3. Asnjë lloj validimi nuk mund të bëhet nga Instituti i Shëndetit Publik

Për të qënë më të qartë me lexuesin se si duhet të funksionojë një laborator mjeksorë qoftë publik, qoftë jo publik (privat):

  1. Regjistrimi nga QKR-QKB
  2. Akreditimi i kësaj qëndre nga Qendra Kombëtare e Cilësisë Sigurisë dhe Akreditimit te Institucioneve Shëndetësore (QKCSA-ISH) http://qkcsaish.gov.al/
  3. Akreditimi i metodave dhe analizave nga “Drejtoria e Përgjithëshme e Akreditimit” (DPA) http://dpa.gov.al/

Për vënjen në punë të një analize të re, siç është analiza “SARS-COV2”, në bazë të legjislacionit në fuqi duhet:

  1. a) Laborator i akredituar nga QKCSA-ISH, gjë që po të shikoni listën e instituteve dhe spitaleve të akredituara nga kjo qendër, ISHP nuk është pjesë e tyre. Shikoni listën: http://qkcsaish.gov.al/rreth-akreditimit/institucione-te-akredituara
  2. b) Akreditimi i metodës direkte për Identifikimin e RNA së virusit “SARS-COV2”, me anë të PCR ose RT-PCR, bëhet nga DPA-ja, i cili është i vetmi institut akreditimi për kryerjen e analizave të çfarëdollojshme qofshin ato. Edhe këtu kemi shumë laboratore analizash humane, private dhe publike te akredituara, por ISHP mungon dhe ketu. Shikoni listën: http://dpa.gov.al/organe-te-akredituara/

Lind pyetja ku është i akredituar ISHP-ja?

Asgjëkundit, veçse në qoftë i akredituar në oborrin e Sulltanit, akreditim i cili është i mbifuqishëm.

Po të shikojmë më në brendësi në këtë dokument: https://new.shendetesia.gov.al/wp-content/uploads/2020/07/Scanned-Documents.pdf ka gjëra tejet qesharake.

  1. Paragrafi 3 f. 1: …Testi shërben si bazë dokumentimi por jo diagnostifikimi për COVID-19,….

Atëherë nëse një person del COVID-19- pozitiv, kjo analizë nuk njihet për diagnostifikimin e pacientit?! Në të gjithë botën ku jetojmë, qëllimi i këtij testi është identifikim dhe kurim. Për Komitetni Teknik Këshillimor cfarë duhet tjetër për diagnostifikim të COVID-19, se jo testi molekular i SARS COV-2?!

  1. Paragrafi 5 f. 1: …Vetëm testet me “Certefikatë Regjistrimi” nga AKBPM lejohen të përdoren për kryerjën e këtij lloj testimi…..

Siç e thashëedhe më sipër, AKBPM nuk ka të drejtë Certefikimi.

  1. Paragrafi 6 f. 1: …Vetëm laboratori i Virologjisë pranë ISHP , është i vetmi laborator i cili mund të konfirmoj diagnozën…

Së pari laboratoret bëjnë analiza dhe nuk konfirmojnë diagnoza, gjë të cilën e bën mjeku i specializuar, dhe së dyti, ky laborator nuk është i akredituar.

MË KRIMINALJA VJEN TANI:

  1. Paragrafi 7 f. 1 …është përgjegjësi e laboratoreve, sigurimi i kiteve, materialeve të konsumit dhe mjeteve mbrojtëse të personelit…

Sipas nenit 4 të LIGJ Nr. 15/2016 “PËR PARANDALIMIN DHE LUFTIMIN E INFEKSIONEVE DHE SËMUNDJEVE INFEKTIVE”, cdo shpenzim për identifikim dhe kurimin e pandemisë është falas, pra është detyrim i qeverisë.

Pra siç thashë më sipër, dhe siç e kemi përsëritur gjatë gjithë kësaj periudhe, me këtë dekret, si dhe me dekretet e mëparshme i vetmi qëllim është të fusin duart në xhepat e popullit.

Nuk po zgjatem më me citatet qesharake të këtij dekreti, sepse në faqet në vazhdim, nuk bën gjë tjetër veçse merr gjithë kompetencat e instituteve vëzhguese dhe akredituese dhe ja vesh MSH dhe drejtorive në vartësi të saj, në format më abuzive të mundshme.

Dua të njoftoj lexuesit se:

“ASNJË ANALIZË E PA AKREDITUAR NGA INSTITUTET E CERTEFIKUARA DHE TË NJOHURA NGA ENTET NDERKOMBËTARE, NUK NJIHET NGA ASNJË VEND I KOMUNITETIT EUROPIAN”

Për kryerjen e akreditimit të një analize nga e para, në bazë të rregullave të akreditimit, ku prezumohet që të kemi një laborator të akredituar, duhen nga 2 deri në 6 muaj.

Pra e shikoni se sa të vonuar janë institucionet tona…

Këto veçse lajme të reja nuk janë, por një histori e vjetër që shkruhet me gërma të nxehta dhe harxhet i paguan gjithmonë populli.