Asgjë nuk varet më nga Rama, përveç mënyrës që ai do të zgjedhë për t’u larguar!

Nga Red VARAKU

Faktori ndërkombëtar i kërkoi Lulzim Bashës të tërhiqej vjet në 30 qershor për të shmangur një përplasje të ashpër civile, që vinte si pasojë e zemërimit pas publikimeve të përgjimeve, ku e gjithë elita e PS parakalonte duke shantazhuar qytetarët dhe duke vjedhur vota.

Për këtë i garantoi dhe premtoi z. Basha se do të investohej në një zgjidhje paqësore të ngërçit politik. Ndaj, menjëherë pas 30 qershorit kërkesa e parë e tyre ka qenë kërkesa për një reformë zgjedhore të dakortësuar, që në terma politikë është një kërkesë për dorëzim pushteti me procedurë.

Kjo reformë bashkë me krijimin e Gjykatës Kushtetuese ishin dhe kushtet kryesore për hapjen e negociatave vjet në tetor. Me arrogancë Edi Rama e refuzoi miratimin e kësaj reforme, bllokoi Gjykatën Kushtetuese, por mori si ndëshkim bllokimin e integrimit.

Përballë presionit në rritje të Perëndimit, i cili u shtua dhe me ardhjen në Shqipëri të ambasadores Zj. Yuri Kim, ai u detyrua në Janar të pranojë krijimin e Këshillit Politik, që në thelb ishte një mekanizëm, i cili tejkalonte autoritetin e parlamentit.

Pas gjashtë muajsh, nën mbikqyrjen e rreptë ndërkombëtare Këshilli Politik prodhoi një produkt, i cili ishte një reformë e dakortësuar nga të gjitha palët, ku secila palë kishte bërë lëshimet reciproke.

Sigurisht, lëshimi më i madh u bë nga opozita e bashkuar e cila u tërhoq nga kërkesa e saj për një qeveri tranzitore. Por, gjithsesi kjo ishte e natyrshme për faktin se garancia e ndërkombëtarëve ishte garanci për tranzicion pushteti.

Kjo reformë u përshëndet menjëherë nga të gjithë aktorët më të rëndësishëm perëndimorë, por ajo që ra më shumë në sy ishte përshëndetja që i bëri kësaj reforme Sekretari Amerikan i Shtetit z. Mike Pompeo.

Pra, është e qartë që reforma zgjedhore nuk ka asnjë lidhje me pëlqimin ose jo të z.Rama. Përkundrazi, ajo është pasojë e papërgjegjshmërisë së tij dhe është thjesht një mekanizëm i ftohtë politik, që po përdoret nga ndërkombëtarët, për të shmangur një përmbysje me dhunë të një kryeministri të kapur në përgjime dhe për të zgjidhur krizën politike të krijuar posaçërisht nga kriza e legjitimitetit të kësaj qeverie.

Serioziteti i qëndrimit të tyre u pa me reagimin jashtëzakonisht të ashpër të gjithë aktorëve më të rëndësishëm të BE përfshi, Komisionerit për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi, Nënkryetarin e CDU/ CSU, krahun e djathtë të Merkel, z. Wahdepul, reagimin e ashpër në unison të përfaqësuesve të Parlamentit Europian, të cilët njëzëri paralajmëruan bllokimin e integrimit dhe izolimin e Shqipërisë.

Është e qartë që rruga që ka nisur Rama për prishjen e kësaj dakortësie nëpërmjet bllokimit të koalicioneve do këllqe të realizohet dhe këtë ai e di mirë dhe nuk ka dalë mendsh akoma. Ajo është një rrugë ekstremisht e rrezikshme. Kjo jo vetëm sepse izolimi i Shqipërisë mund të provokojë një zemërim, që mund ta djegë atë dhe familjen e tij përfundimisht, por edhe sepse kjo pabesi e tij rrezikon ta fusë atë në listën e zezë të SHBA dhe rrezikon ta kthejë PS-në në një organizatë terroriste.

Për pasojë, asgjë nuk varet më nga Edi Rama përveç mënyrës që ai do të zgjedhë për tu larguar. Tashmë do apo nuk do, ai nuk ka fuqi ta ndalë dot më tranzicionin e pushtetit. Sigurisht, ai është në të drejtën e tij të bëjë gjithçka për të arritur objektivat e tij politike, përfshi dhe presionin deri në ditën e fundit për t’i garantuar vetes paprekshmërinë, por kurrsesi në dëm të kryeinteresit të shqiptarëve, atij të integrimit të Shqipërisë në BE.

Ndaj, nuk ka dyshim që kjo reformë ose do të kalojë dhe do të zbatohet fjalë për fjalë ashtu siç është rënë dakort në 5 qershor, ose ajo që u ndërpre vjet në 30 qershor, do të rikthehet njëqind fish më ashpër dhe më e pamëshirshme. Rrugë tjetër nuk ka!