Premtimi i Bashës në Kosovë: Një nga vendimet e para të mia do të jetë heqja e taksës dhe traut në Rrugën e Kombit

Lideri i opozitës, Lulzim Basha dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas takimit kanë dalë në një konferencë për mediat.

Basha tha se, Prishtina është qyteti i tij i dytë jo vetëm pasi ka jetuar për 4 vite aty, por edhe sepse është shpallur Qytetar Nderi. Ai vlerësoi paketën e masave të qeverisë së Kosovës në situatën e pandemisë.

Basha dha mbështetjen e tij të plotë në bisedimet me Serbinë.

Kreu i PD tha se, si kryeministër, vendimi i tij i parë do të jetë heqja e traut dhe taksës në “Rrugën e Kombit”.

“Unë ndodhem gjithmonë me kënaqësi shumë të madhe në Prishtinë që është edhe qyteti im i dytë pas Tiranës jo vetëm sepse gjatë viteve 2000-2004 kam jetuar këtu por edhe sepse më shpallët qytetar nderi të Prishtinës para disa vitesh.

Po ndjekim me shqetësim pandeminë COVID, jam i inkurajuar nga paketa e masave që ju keni njoftuar qoftë ne aspektin shëndetësor qoftë në aspektin socio-ekonomik. Me paketën që keni njoftuar në raport me PBB, ju vendos në krye të vendeve të rajonit dhe ju bën një shembull edhe për Shqipërinë.

Për bisedimet me Serbinë, ju shpreh mbështetjen e plotë timen, PD-së dhe opozitës së bashkuar në këtë përqasje parimore që ka dhe mund të ketë vetëm një përfundim njohjen reciproke mes Kosovës e Serbisë. Tek PD do keni një partner të devotshëm që ato punë që kemi nisur si Rruga e Kombit dhe liberalizimi ekonomik të vazhdojnë dhe më tej.

Një nga vendimet e para të mia, do të jetë heqja e taksës dhe traut në Rrugën e Kombit, një vendim i padrejtë. Po kështu një thellim të bashkëpunimit në të gjitha fushat e tjera. Dua të çmoj lart qëndrimet tuaja dhe fokusin tuaj në bashkëpunimin ekonomik ku do të keni mbështetjen time dhe të PD-së”, deklaroi Basha.