Lufta politike në Shqipëri dhe një lëvizje interesante e Sali Berishës!

Nga Enver Bytyçi

Në kohën kur Edi Rama i bën presion Lulzim Bashës me ndryshimet kushtetuese dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Në kohën kur Ilir Meta e takoi lederin e opozitës për këtë arsye dy herë brenda javës. Atëherë kur komisioni parlamentar vendosi mosshkarkimin e presidentit të Republikës. Por edhe në momentin kur Edi Rama gjendet më i izoluar se kurrë në jetën e vet nga faktori ndërkombëtar. Pikërisht në këtë moment shfaqet Sali Berisha me një lëvizje të jashtëzakonshme prej politikani e shtetari me përvojë.

Ai ka marrë pjesë dhe ka folur në një konferencë online të Samitit Global “Irani i lirë”, ku ka mbështetur opozitën iraniane dhe ka bërë thirrje për masa të mëtejshme të izolimit të regjimit të Ajetollah Khomeinit, duke shprehur një pozicion të pandryshueshëm ndaj politikave amerikane dhe europiane ndaj këtij regjimi. Ish presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë foli në atë samit “për një Iran të lirë, demokratik, sekular dhe jo-nuklear”. E quajti Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit si “tmerrin e regjimit diktatorial iranian” dhe shprehu kënaqësinë e gatishmërinë që bazuar në parimet e miqësisë, besës dhe mikpritjes të shqiptarëve të kontribuojë për forcimin e zgjerimin e lëvizjes opozitare iraniane të transferuar tashmë në territorin shqiptar.

Mediat u morën pak ose aspak me këtë lëvizje të fuqishme të zotit Berisha, në thelbin e së cilës shprehen mesazhe asgjësuese për kryeministrin e Shqipërisë në detyrë, Edi Rama:
Së pari, kjo qasje e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, i jep një goditje fatale mitit të aleancës së Edi Ramës me partnerët perendimorë, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Propaganda Rama për shtatë vite është kacavjerrë te ky mit, duke e paraqit kryeministrin më të dështuar në historinë e shtetit shqiptar si të vetmen ganxhë, ku amerikanët mund të varin xhaketën tyre për realizimin e interesave strategjike të tyre në Shqipëri, rajon e Europë. Sali Berisha, edhe pse prej shtatë vitesh thuajse jashtë politikës aktive institucionale, e çmontoi këtë mit. Fjala e tij në Samitin Global të Iranit të Lirë është njëkohësisht angazhim solemn për të djathtën shqiptare në mbështetje të këtyre interesave amerikane.

Së dyti, pjesmarrja dhe fjala e zotit Berisha në atë Samit çmontoi gjithashtu përpjekjet e propagandës së Edi Ramës, sipas të cilit “Lulzim Basha dhe e djathta shqiptare janë të lidhur me rusët”! Për mua ka qenë e qartë në krye të herës: Kjo përpjekje e Ramës për ta bindur perendimin se kreu i opozitës qenka i lidhur me Moskën fshihte lidhjet e kreut të ekzekutivit shqiptar me Kremlinin. Kjo sepse nuk ishte Lulzim Basha ai që kërkoi ndonjëherë afrim me presidencën e Vladimir Putin. Përkundrazi, ishte Edi Rama që në vitin 2016 i shkroi letër presidentit rus për ta ftuar atë në një vizitë zyrtare në Moskë. Por kur Putin u vendosi kushtin që gjatë kësaj vizite duhej “nënshkruar traktati i miqësisë shqiptaro-ruse”, Edi Rama u frikësua dhe hoqi dorë nga ajo vizitë. Shfrytëzoi më pas në vitin 2020 OSBE-në që të gjendej nën shoqërinë e Baton Haxhiut në zyrën e minsitrit të Jashtëm Lavrov.

Dhe së treti, kjo lëvizje e Sali Berishës i bën shqiptarët të besojnë se fundi i regjimit të Edi Ramës ardhur. Se lëvizjet e tij për ndryshimin e kushtetutës janë thjesht një provokacion dhe aventurë e radhës për të mbuluar dështimet e shumta e katastrofale për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptare. Se Edi Rama gjithçka po e bën për të qëndruar në politikë, por jo edhe për të mbajtur postin e kreut të mazhorancës!