Reagimi i fortë i mjekut të njohur: Pse “komandanti” e uli numrin e rasteve me Covid-19 ditën e fundit?

Nga Erion DASHO

KOSINUSI I COVID-19

Në kohën e kaluar, qarkullonte një barcaletë për një grup zboristësh artilierë që nuk po llogarisnin dot trajektoren e predhës. Oficeri i “korrigjoi” duke ndryshuar vlerën e kosinusit të këndit të qitjes. Një zborist matematicien u ankua:

– Shoku komandant, po kosinusi nuk mund të jetë më shumë se 1!

– Ushtar, këtu në zbor kosinusi shkon aq sa më do qejfi mua..

***

Kjo barcaletë më është kujtuar shpesh, kur shihja të dhënat rreth epidemisë së COVID në Shqipëri. Grafiku dhëmbësharrë dukej fiks i dalë nga lapsi i komandantit artilier…

Çuditërisht, prej më shumë se një jave kishte nisur të përvijohej një tendencë. Rreth 20% e personave që kryenin testin e tamponit rezultonin pozitiv për COVID-19. Duke mos u mjaftuar me grafikët e numrit të personave të testuar dhe atyre të diagnostikuar, të cilët ecnin në një paralelizëm pothuajse perfekt, përllogarita edhe koefiçientin Pearson, i cili e kuantifikon fortësinë e lidhjes midis dy fenomeneve. Ditën e enjte, koefiçienti Pearson (ρ) doli 0.91, tregues i një lidhjeje pothuajse perfekte.

Domethënia klinike e kësaj situate ishte nevoja për të rritur ndjeshëm numrin e testeve, sepse pragu që përdor Organizata Botërore e Shëndetësisë për testimin është 10%. E shprehur ndryshe, nëse 10% e personave të testuar rezultojnë pozitivë, kjo tregon se një vend është duke testuar mjaftueshëm. Përqindja e pozitivitetit prej më shumë se 20% në Shqipëri dhe koefiçienti ρ prej 0.91 ishin tregues domethënës se për të arritur pragun prej 10% duhej shtuar disafish numri i testeve.

ARGUMENT MË I FORTË SHKENCOR PËR TË MBËSHTETUR DHJETËRA EKSPERTË QË KËRKOJNË PREJ MUAJSH RRITJE TË NUMRIT TË TESTEVE, VËSHTIRË TË GJENDET DHE, PERSONALISHT, E KAM PËRSËRITUR KËTË ARGUMENT MË SHUMË SE NJË HERË.

Papritur, ditën e premte u përmbys gjithçka. U raportuan 430 teste dhe 55 raste, me një përqindje pozitiviteti prej gati 13%, kësaj here shumë pranë pragut të përcaktuar nga OBSH-ja. Mjaftuan vetëm të dhënat e një dite që koefiçienti ρ të shkonte direkt në 0.60, ende tregues i një korrelacioni të fortë, por kuptohet shumë larg nga ρ = 0.91 i një dite më parë.

KJO SITUATË MUND TË SHPJEGOHET OSE NGA NJË NDRYSHIM RRËNJËSOR I METODOLOGJISË, OSE ME NJË KOMANDANT ZBORI NË PRAPASKENË QË NDRYSHON KOSINUSIN PËR T’A “DËRGUAR PREDHËN DREJT E NË OBORRIN E OBSH-SË”…

NËSE “BABAI I KORRELACIONIT”, KARL PEARSON, APO ÇDO SHKENCËTAR TË DHËNASH I SHEKULLIT TË XXI-TË DO TË SHIHTE NUMRAT DHE GRAFIKËT SHQIPTARË, SIGURISHT QË DO TË NGELEJ I SHTANGUR!

MESATARJA PREJ 85 RASTESH NË DITË GJATË DY JAVËVE TË FUNDIT, PAPRITUR BIE NË 55 RASTE BRENDA NATËS!

PËRQINDJA E TESTEVE QË REZULTOJNË POZITIVË ME NJË MESATARE JAVORE PREJ 20% (QË ARRITI NË 24% TË MËRKURËN DHE TË ENJTEN), PAPRITUR BIE NË 12.8%!

KOEFIÇIENTI I KORRELACIONIT MIDIS NUMRIT TË TESTEVE DHE RASTEVE BIE NGA ρ = 0.91 NË ρ = 0.60 VETËM PSE U SHTUAN TË DHËNAT E NJË DITE TË VETME!

KËTO FENOMENE VËSHTIRË TË NDODHIN NË NATYRË!

AJO QË PRESIN QYTETARËT SI GARANCI PËR SHËNDETIN DHE JETËN E TYRE JANË PROFESIONALIZMI DHE TRANSPARENCA!