Leksioni i 14 korrikut/ Një puç pallati s’ka armë për ta fituar Bulevardin

Nga Ilir NIKOLLA

Ekzistojnë shumë mënyra për të prishur kohezionin e një shoqërie. Kur faktorëve jashtë nesh, siç është edhe koronavirusi, i shtojmë edhe urinë e pacak të kryeministrit shqiptar për të shfrytëzuar çfarëdo mjeti për të shmangur kursin e rotacionit politik, kuptojmë se për Shqipërinë, kapërcimi i krizës ekonomike që solli pandemia nuk do të jetë i ngjashëm me atë të fqinjve tanë apo edhe me vendet e Bashkimit Evropian. Tek ne nuk ka asnjë paketë incentivash ekonomikë për bizneset, s’ka asnjë plan për të ndalur papunësinë masive dhe ç’është më e dukshmja, s’ka asnjë tentativë për të ndërprerë hemorragjinë e popullsisë, e cila e ka më të thjeshtë t’ja nisë nga fillimi në Evropë sesa të trokasë në derën e shtetit për të shpëtuar fermën bujqësore në fshat apo biznesin e vogël në qytet.

Sipas piramidës së prioriteteve, tek ne “qeveriset” veç përpjekja për të marrë me çdo mjet edhe një mandat tjetër qeverisës, i cili do të fashiste çdo rrezik, rrezikun e përballjes me drejtësinë, rrezikun e përplasjes me oligarkët dhe së fundmi edhe rrezikun e përballjes me familjen tënde politike. Për këtë mandat, Edi Rama është gati të bëjë puçin kushtetues, të cilin sipas rastit, herë e quan revolucion e herë e quan kompromis. Ndryshimi i kushtetutës në pikun e verës, pa referendum e praktikisht edhe pa parlament, s’është dëgjuar në demokracitë perëndimore prej gati një shekulli.

Por në përvjetorin e nisjes së revolucionit francez, s’ka pse të mos bëjmë disa krahasime që çalojnë në shumë anë, por që kanë të përbashkët dilemat e mëdha të legjitimitetit. Në Tiranë sot flitet për drejtësi të re, për kushtetutë të re, për kompromis të ri, flitet për çdo gjë të re, e cila duhet të gatitet pa legjitimitetin e nevojshëm dhe me parakushtin që prej këtij zhvillimi të ndalet rotacioni politik.

Në Tiranë flitet dhe veprimet synohen të kryhen brenda pallatit, në një puç pallati, kurse që nga 14 korriku i 1789-s, në kontinentin tonë është marrë leksioni se ndryshime të tilla s’ndodhin në pallat, por në rrugë, ato aty e fitojnë legjitimitetin dhe kanë edhe çmimin e tyre të rëndë me vete. Personazhet që synojnë ta kryejnë “revolucionin e pallatit” në Tiranë, përveç kryeministrit që ka hallin e vet, nuk kanë dukshmëri publike. Ata janë futur në lojë derr në thes, por të gjithë e dinë se asnjëri prej tyre s’ka për t’i dalë zot “revolucionit” nëse siç na mëson 14 korriku i 1789-s, këtij puçi do t’i duhet ta fitojë legjitimitetin e vet jashtë, në bulevard. Personazhet tona s’kanë kurrfarë krahasimi me idealistët francezë, nevrastenia që ata shfaqin në intervistat televizive s’mund të ngatërrohet me pasionin e idealistëve francezë, nevrastenia e sotme reflekton hall, jo ideal.

E megjithatë, puçi i pallatit mund ta kalojë fazën e parë. Halli i kryeministrit është hall i madh dhe për dreq, ky hall gëzon edhe njëfarë konjukture ndërkombëtare. Koronavirusi është kudo, në Bullgari shohim se flasin për “mafie në qeveri” e “mafie në presidencë”, në Serbi shohim të flitet për “armikun e jashtëm që organizon protesta”, në Stamboll flitet për “ndalimin e ndërhyrjeve në punët e brendshme”, kurse në Itali flitet për një “identitet mesdhetar që mund të zëvendësojë identitetin evropian”.

Krejt kjo konjukturë mund ta ndihmojë fazën e parë të puçit të pallatit. Edi Rama dhe “opozita parlamentare” mund ta votojnë hallin e përbashkët, por kjo fazë e parë s’mund ta gëzojë gjatë armëpushimin. Sido që të heshtet jashtë e të mbulohet me dhunë brenda kundërshtia, edhe në kalendarin e Edi Ramës do të duhet të vihet tek stacioni i zgjedhjeve. Puçi i pallatit mund të mjaftojë për zgjedhje me një palë, po për të fituar legjitimitet duhet përballja në bulevard dhe Edi Rama, Myslim Murrizi, Rudina Hajdari dhe “të tjerët” s’kanë asnjë gjasë të shndërrohen në tribunë revolucioni. As gazi i Lleshit e as portalet alla “Zëri i popullit” s’do mjaftonin as për ta barazuar betejën, lëre më për ta fituar.

Prej më shumë se 230 vitesh tashmë e kemi mësuar se bulevardet s’shqetësohen shumë as për aleatë të jashtëm e as për juntë të brendshme, prandaj nëse s’është e drejta me vete, s’ka forcë që një puç e kthen në një revolucion shoqëror.