Ja si e godet Rama në 12 nene marrëveshjen me PD, të mbështetur nga SHBA dhe BE

Kur deklaroi se do ndërhynte në kushtetutë për të ndryshuar sistemin, nga lista të hapura në lista të mbyllura, Kryeministri Rama u shpreh se kjo nuk cënonte marrëveshjen e arritur më 5 qershor nga Këshilli Politik, i përbërë nga PD-PS-LSI dhe nën monitorimin e Bashkimit Europian, SHBA dhe Britanisë së Madhe.

Nga ana e tyre këta të fundit kanë kërkuar që marrëveshja të kalojë ashtu siç është e paprekur, çka do të thotë që kalimi i kodit në tërësi, duhet ti bëhet ndërhyrje vetëm në nenet që parashikon marrëveshja në fjalë.

Por në rast se ndërhyhet në Kushtetutë për të implementuar ndryshimin e sistemit, atëherë është e detyrueshme të ndërhysh dhe në kodin zgjedhor, së paku në nenet që flasin për formulën e përllogaritjes së mandateve, si dhe kudo ku ndodhet fjala “koalicion”. Të gjitha këto nene duhen ndryshuar ose abroguar.

Vëzhgimi

Gazeta Mapo ka bërë një vëzhgim në tërësi të kodit zgjedhor, dhe rezulton se si pasojë e ndryshimit të sistemit në Kushtetutë, në kodin zgjkedhor duhet të ndërhyhet në të paktën 12 nene të tij, ndoshta dhe më shumë.

Ndërsa dy nene që janë përllogaritja e mandateve duhet të ndryshohen plotësisht. Nenet 162 dhe 163 flasin për përllogaritje mandatesh në bazë të sistemit proporcional rajonal me lista të mbyllura, ndërsa sistemi proporcional rajonal me lista të hapura kërkon një tjetër përllogaritje.

Pra, për ta bërë më të qartë, në rast se në sistemin aktual votat numërohen në bazë të subjekteve pjesëmarrëse në garë, në sistemin e listave të hapura duhen numëruar votat e çdonjërit prej kandididatëve dhe kjo kërkon tjetër formulë llogaritjeje.

Ekspertët e zgjedhjeve thanë për Mapon, se kjo e kthen përmbys kodin zgjedhor, madje përshtatjet sipas tyre duhen në gati ¼ e neneve që flasin për zgjedhjet e përgjithshme.

Pra, nuk është thjesht një ndërhyrje në Kushtetutë por është ndryshimi i një sistemi të tërë dhe kodi zgjedhor është përshtatur për sistemin proporcional rajonal me lista të mbyllura. Hapja e listave, do kërkonte një kod tjetër zgjedhor.

Nenet

Ndërhyrje të tjera kërkojnë dhe nenet që flasin për regjistrimin e partive apo subjekteve në zgjedhje. Këtu janë të paktën shtatë nene që kërkojnë ndërhyrje, pasi përmendet fjala “koalicion” i cili ose do të ndalohet sipas proprozimeve të opozitës parlamentare, ose bie vetiu me listat e hapura.

Pra, smund të dilet me kandidatë të përbashkët, ose njërës parti i duhet që kandidatët e partisë aleate t’i fusë në listat e veta, siç ndodhi në 2017 me disa nga kandidatët e partive aleate të PD-së. Pra skemi të bëjmë thjeshtë me arnime kodi, por me ndërhyrje thelbësore tek ai.

Natyrisht Rama i ka 84 vota për të ndryshuar kodin zgjedhor, por këtu do i duhet të përballet me deklaratat dhe qëndrimet jo vetëm të opozitës jashtë parlamentit por edhe me ndërkombëtarët.

Ishte komisioneri për zgjerimin në Komisionin Europian, Oliver Varhelyi, deklaratat e bundestagut Gjerman, Kushtet e Parlamentit Europian, Ambasada Amerikane, etj, të cilët e kanë thënë qartë që marrëveshja për kodin duhet të kalojë pa ndryshime.

A do ketë fuqinë Rama për t’i shkuar deri në fund kësaj aventure. Kjo mbetet për t’u parë në javët në vazhdim.

Nenet që duhen ndryshuar

Neni 63
Neni 64
Neni 65
Neni 66
Neni 67
Neni 68
Neni 84
Neni 88
Neni 118
Neni 146

Nenet e kodit zgjedhor që duhet të transformohen plotësisht

Neni 162

Përllogaritja e mandateve të subjekteve zgjedhore

  1. Jo më vonë se 3 ditë nga përfundimi i procesit të ankimit kundër vendimit për miratimin e rezultateve të zonës zgjedhore apo pavlefshmërisë së zgjedhjeve, sipas këtij kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që subjektet kanë marrë në nivel zone zgjedhore.

Për zgjedhjet për Kuvendin, përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë politike që konkurrojnë më vete dhe që kanë marrë më pak se 3 për qind dhe koalicionet që kanë marrë më pak se 5 për qind të votave të vlefshme në zonën zgjedhore përkatëse.

  1. Numri i votave të vlefshme në nivel zone zgjedhore të secilit subjekt pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë të njëpasnjëshëm, të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror që i korrespondon numrit të mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse. Hapi nga njëri pjesëtues tek tjetri është 1.

Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.

  1. Kur subjekti zgjedhor është kandidat i propozuar nga zgjedhësit, votat e tij pjesëtohen vetëm me pjesëtuesin 1.
  2. Herësit e përftuar nga çdo pjesëtim, përfshirë edhe rezultatin e pikës 3 të këtij neni, renditen në listë nga herësi më i madh tek ai më i vogël, duke renditur përkrah tyre subjektin, të cilit i përket herësi përkatës.

Në rast se herësi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt. Renditja vazhdon derisa të renditen aq herës sa është numri i mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse.

  1. Një subjekt zgjedhor përfiton një numër mandatesh të barabartë me numrin e herësve të përfshirë në listën e përcaktuar në pikën 4 të këtij neni.

Në rast se për vendin e fundit në listën e përcaktuar në pikën 4 të këtij neni rezultojnë dy apo më shumë subjekte me të njëjtin herës, mandati i jepet atij subjekti që ka numrin me të madh të votave dhe nëse ato kanë numër të barabartë votash, atëherë përcaktohet me short midis atyre subjekteve. Shorti hidhet publikisht në KQZ, në prani të subjekteve të interesuara.

Neni 163
Ndarja e mandateve brenda koalicionit

  1. Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, sipas nenit 162 të këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve brenda koalicionit në çdo zonë zgjedhore, mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që secila parti pjesëtare e koalicionit ka marrë në zonën zgjedhore përkatëse dhe numrit të mandateve që koalicioni ka fituar në zonën zgjedhore përkatëse.
  2. Numri i votave të vlefshme të secilës parti pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë tek të njëpasnjëshëm, të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror që i korrespondon dyfishit të numrit të mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse.

Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.

  1. Herësit e përftuar nga çdo pjesëtim renditen në listë nga herësi më i madh tek ai më i vogël, duke renditur përkrah tyre subjektin, të cilit i përket herësi përkatës.

Në rast se herësi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt. Renditja vazhdon derisa të renditen aq herës sa është numri i mandateve që shpërndahen brenda koalicionit në zonën zgjedhore përkatëse.

  1. Një parti politike përfiton një numër mandatesh të barabartë me numrin e herësve të përfshirë në listën e përcaktuar në pikën 3 të këtij neni.

Në rast se për vendin e fundit në listën e përcaktuar në pikën 3 të këtij neni rezultojnë dy apo më shumë subjekte me të njëjtin herës, mandati i jepet atij subjekti që ka fituar numrin më të madh të votave dhe nëse ato kanë numër të barabartë votash, atëherë përcaktohet me short midis atyre partive. Shorti hidhet publikisht në KQZ, në prani të subjekteve të interesuara.

  1. Menjëherë pas përfundimit të procedurave për ndarjen e mandateve për çdo parti politike, sipas këtij neni, KQZ-ja përcakton mandatet nominale për çdo parti politike, në bazë të renditjes së kandidatëve në listë, të depozituar sipas pikës 4 të nenit 67 të këtij Kodi, në rend zbritës, duke filluar nga numri rendor një.
  2. Kryetari i partisë, i regjistruar në më shumë sesa një listë, sipas pikës 3 të nenit 67 të këtij Kodi, i cili ka fituar mandat në më shumë se një zonë zgjedhore, mban vetëm mandatin e fituar në zonën zgjedhore ku lista fituese ka marrë numrin më të vogël të votave, sipas përllogaritjes së neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi. Mandatet e tjera të fituara nga kryetari i partisë u shpërndahen kandidatëve të tjerë, që renditen menjëherë pas tij në listën shumëmërore përkatëse.
  3. Shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni për çdo zonë zgjedhore miratohet me vendim. Vendimi nxirret për çdo zonë zgjedhore më vete.

Vendimi mund të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor, sipas procedurave të pjesës XI të këtij Kodi, nga subjektet e parashikuara në pikën 1 të nenit 124, përfshirë edhe kandidatët e listës shumemërore./Mapo.al/