Nëse ka teste për Covid, përse manipulohet opinioni se tamponi nuk qënka aq i rëndësishëm?

Nga Bardh SPAHIA

Prej disa ditësh, zëdhënësit e qeverisë po shfaqen studio më studio, për të justifikuar numrin e ulët të testimeve në raport me vendet e tjera. Po na thonë se kryerja e testimeve nuk qenka mënyra më e mirë për të kontrolluar virusin, pasi parësore janë maskat e distancimi social!!! Dhe kjo thuhet në këtë fazë, kur shifrat si të të prekurve, ashtu edhe viktimave janë në rritje.

Ky është një manipulim i ulët për të fshehur paaftësinë, e cila coi në daljen e situatës jashtë kontrollit! E tillë është si në spitale e qendra shëndetësore, ashtu edhe në institucionet publike, ku punonjësit e shtetit qëndrojnë deri në 8 orë të mbyllur! Pse nuk flisni për atë situatë? Si mund të mos konsiderohet rritja e numrit të tamponëve, kur njerëzit i janë kthyer rutinës së përditshme të punës së pari? Si matet niveli i përhapjes së Covid-19, me testime aq të pakta?

Si mund të mos jetë prioritet bërja e tamponit në spitale, si për personelin, ashtu edhe për pacientin? Sa të sigurta janë spitalet e qendrat shëndetësore sot? Si është situata konkrete? Për këtë nuk flitet! Vërtetë që ka raste infektimi edhe jashtë, por ndryshe nga këtu, shërbimi mbyllet për dezinfektim e izolim të personelit, e nuk fshihet siç ndodh këtu tek ne, duke lejuar kështu në mënyrë krejt të papërgjegjshme vazhdimin e zinxhirit të infeksionit e jo shkëputjen e tij!

Qytetarët e kanë fajin nëse marrin infeksionin, kur kërkojnë një shërbim shëndetësor në strukturat publike? Personeli e ka fajin që u ofron shërbim qytetarëve, edhe në mungesë të mjeteve të duhura mbrojtëse? E keqja është se përvecse nuk ka një strategji, ka një rrëmujë edhe në të kuptuarin e situatës, dhe ministrja e shëndetësisë, të le pa gojë kur thotë se “Mund të jetë lehtësuese bërja e tamponit për të gjithëve që vijnë në spital, por kjo mund të ulte vigjilencën e stafeve mjekësore!!!” Pra cdokush në spital, personel apo pacientë, thjesht duhet t’i luten Zotit, se tamponët, pjesë e protokollit që pasohet me gjurmimin, nuk janë prioritet i autoriteteve politike, e të politizuara shëndetësore!

Pra qytetarët duhet të ruhen vetë, e se autoritetet janë thjesht për të bërë policin e jo gjë tjetër! Në këtë fazë, strategjia e vetme e qeverisë është manipulimi i opinionit publik, pavarësisht se marionetat që përdorin nëpër televizione, bëhen të pabesueshme, pasi cdo kush e ka mundësinë të informohet edhe në kohë reale se si rritja e testimeve është emëruesi i përbashkët i cdo vendi, edhe fqinjëve tanë të rajonit!