Rritja e infektimeve, Kosova kufizon përsëri lëvizjen e qytetarëve

Me rekomandim nga Instituti i Shëndetit Publik qeveria e Kosovës riktheu disa masa, përfshirë edhe kufizimin e lirisë së lëvizjes së qytetarëve në disa qytete kryesore. Lëvizja e qytetarëve ndalohet nga ora 21:00 deri në 05:00 të mëngjesit, në Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Vushtri, ndërsa, në këtë orar në tërë teritorin e Kosovës, ndalohet veprimtaria e gastronomisë në ambiente të mbyllura.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi se vetëm të dielën regjistroi nëntë persona të vdekur dhe 152 raste të reja me COVID-19. Numri i të vdekurve në Kosovë nga koronavirusi arrin në 75. Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë me afro 1.8 milion banorë, deri tani janë regjistruar 3,508 raste pozitive me COVID-19. Prej tyre 1,531 vazhdojnë të jenë raste aktive. Gjatë ditës së diel mediet raportuan për katër raste vdekjesh në Qendrën Klinike Universitare me dyshime për “gabime”, njerëzore. Në reagimin e saj Ministria e Shëndetësisë i bëri thirrje publikut, “që të përmbahen nga konkludimet e parakohshme dhe t’u japin kohën e duhur institucioneve përgjegjëse për ta bërë analizën e shkaqeve të vdekjeve”.

“Me qëllim që të zbardhet çdo dyshim rreth natyrës së vdekjes së tyre, MSH dhe SHSKUK u bëjnë thirrje publikut dhe të gjithëve që të përmbahen nga konkludimet e parakohshme dhe t’u japin kohën e duhur institucioneve përgjegjëse për ta bërë analizën e shkaqeve të vdekjeve dhe të nxjerrin përfundimet meritore”, thuhet në komunikatën e MSH.

Hetime për dyshimet për vdekjet e pacientëve me COVID-19
Ndërkohë, Prokuroria Themelore e Prishtinës tashmë konfirmon se ka nisur hetimet lidhur me dyshimet për vdekjet e pacientëve me COVID-19, që kanë ndodhur në orët e para të së dielës në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare. Edhe Policia e Kosovës njoftoi të hënën se po heton vdekjen e gjashtë personave në Klinikën Infektive në Prishtinë.

“Me vendimin e prokurorit, trupat e pa jetë të viktimave dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Hilfsorganisation Help | Hilfe zur Selbsthilfe (Help)
Në Kosovë që nga shfaqja e pandemisë në gjysmën e muajit mars e deri më tani janë regjistruar 3,508 raste pozitive me COVID-19. Prej tyre, 1,531 vazhdojnë të jenë raste aktive. Kjo bëri që për të dytën herë autoritetet të ndërmarrin masa për kufizimin e lëvizjeve të njerëzve dhe mbylljen e disa bizneseve.

Vetëdijesim, jo mbyllje e bizneseve dhe kufizim i lëvizjes
E pas kufizimit të orarit të punës për sektorin e gastronomisë, vendim ky i fundit i qeverisë së Kosovës, kryetari i Odës Ekonomikë të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se rritja e rasteve me COVID-19 duhet të parandalohet me vetëdijesim e jo me mbyllje të bizneseve.

“Rritja e rasteve duhet të parandalohet me vetëdijesim, jo me mbyllje të bizneseve dhe kufizim të lëvizjes. Nëse është e nevojshme vetëdijesimi duhet të arrihet edhe me rritje të ndëshkimeve dhe sanksioneve për të gjithë qytetarët dhe bizneset që nuk respektojnë masat parandaluese. Pasi që përfaqësoj bizneset, mund të bëjë thirrje që të mbyllen të gjitha ato biznese që nuk respektojnë masat parandaluese, e jo të kufizohet apo mbyllet një sektor në tërësi”, shkroi në profilin e tij Berat Rukiqi.

Sanksionimin e të gjithë atyre që nuk respektojnë masat kundër Covid-19, e paralajmëroi edhe Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, i cili tha se “kushdo që nuk respekton këto rregulla, do të sanksionohet.

“Në mbikqyrje të zbatimit të masave do të jenë inspektorët e Inspektoratit Sanitar, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Inspektoratet Komunale, dhe mekanizmat e sigurisë. Komunat do të riaktivizojnë plotësisht shtabet emergjente”, ka thënë ministri Armend Zemaj.

Qeveria e Kosovës për sanksionimin e qytetarëve që nuk respektojnë masat, bazohet në Ligjin për luftimin e sëmundjeve ngjitëse. Në bazë të këtij ligji, gjobat mund të shkojnë nga 1.000 deri në 8.000 për të gjithë personat fizikë dhe juridikë të cilët nuk e zbatojnë masën e përgjithshme për mbrojtje nga sëmundjet ngjitëse.